8 Maj, 2025 - 3:27 pm
Biblioteka e Korçës, organizoi një sesion shkencor në nderim të rilindasit Thimi Mitko, në 205-vjetorin e lindjes së tij, me temë “Thimi Mitko – Ndriçues i mendimit kombëtar dhe i kulturës shqiptare”
I pranishëm në aktivitetin e zhvilluar së fundmi, prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, u shpreh se, ishte më shumë se një sesion shkencor.
“Ishte takim me rrënjët tona, me mendimin e kthjellët dhe pasionin e një njeriu që e deshi pa kushte gjuhën amtare, kulturën dhe identitetin shqiptar. Korça ka ditur gjithmonë të nderojë bijtë e saj dhe të mbajë gjallë kujtesën e atyre që ndriçuan rrugën tonë kombëtare”, u shpreh prefekti Jole, në një postim në rrjetet sociale.
Në fjalën e tij, prefekti i Qarkut Korçë, vuri theksin edhe tek mungesa e vetëdijes dhe sjelljes patriotike që hasim jo rrallë sot në mjedisin shoqëror dhe që Jole ftoi të plotësohet me homazhe të vazhdueshme të figurave të këtij kalibri.
Euthimio (Thimi) Mitko është një prej figurave më fisnike të Rilindjes sonë Kombëtare, emrin e të cilit e mban edhe Biblioteka e Korçës. Mitko ia kushtoi jetën çështjes kombëtare si edhe folklorit. Koleksioni i folklorit shqiptar të Mitkos përmbante këngë, tregime dhe thënie popullore nga Shqipëria e jugut. /atsh/ KultPlus.com