Tregim i dy personazheve të njohur të letrave shqipe, Çabej e Lasgushi, në një lokal

13 Gusht, 2022 - 12:45 pm

Të veshur të dy me pallto, kapele në kokë, dhe një bastun në dorë Eqrem Çabej dhe Lasgush Poradeci duken kaq elegantë ndërsa shëtisin në një park në Graz. Fotografia është publikuar më herët, nga e bija Lasgushit, Maria.

Është e njohur miqësia që dy njerëzit e njohur të letrave kanë pasur me njëri-tjetrin. Ata kanë qenë të dy studentë në Graz. Janë dhjetëra letërkëmbime që kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin mbi magjinë e poezisë, apo Shqipërinë. Herë pas here, Maria rrëmon detaje interesante nga jeta e poetit. Ne kemi parë dhe një portret të gjuhëtarit të madh, vizatuar nga Lasgushi.

Kështu, ajo tregoi dhe një episod teksa dy personazhet e njohur të letrave shqipe ndodheshin në një lokal.

“Ishim me Eqrem Çabeun në Graz (Austri), ishim të dy studentë (vitet 1925-1926). Kishim gjetur për të ngrënë darkë një restorant të vogël, por shumë të mirë familjar. Në kuzhinë ishte gruaja, në banak ishte burri dhe vajza e tyre ishte kamarjere. Na pëlqente shumë ushqimi aty.

Një natë, po hanim si zakonisht dhe po bisedonim. Lokali ishte plot dhe të gjithë hanin dhe flisnin me njeri tjetrin dhe nuk ndiheshin. Ne, na kishte tërhequr aq shumë biseda sa nuk e kishim vënë re që po flisnim me zë të lartë. Po flisnim shqip. Dhe herë pas here aprovonim njeri-tjetrin duke thënë po po (ata që dinë gjermanisht do ta kuptojnë). E vumë re që klientët na shikonin si të habitur. Po ne, vazhdonim të flisnim me zë të lartë.

I zoti i lokalit (burri, që rrinte në banak), na u afrua dhe me zë të ulët dhe me shumë sjellje na tha që duhet ta ulnim zërin sepse po shqetësonim të tjerët që ishin duke ngrënë. Ne, nuk e konsideruam vërejtjen e tij dhe vazhduam duke folur me zë të lartë. Ata, klientët, dalëngadalë filluan të paguajë dhe e boshatisën lokalin duke na lënë vetëm. U turpëruam shumë dhe nuk shkelëm më kurrë në atë lokal”, tregonte Lasgushi.KultPlus.com

Të ngjajshme