Tryezë shkencore për Martin Camajn në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta

28 Qershor, 2022 - 9:30 pm

Në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit e dijetarit të shquar Martin Camaj, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ka organizuar tryezën shkencore me titullin “Martin Camaj në sistemin letrar shqiptar”.

Akademik Shaban Sinani mbajti fjalën përshëndetëse. Ai u shpreh se në figurën e Camajt, janë shartuar në harmoni të plotë tiparet më të vyera të malësorit shqiptar dhe intelektualit europeist.

Atdheu i munguar ishte fati i zgjedhur e njëherësh edhe fataliteti i jetës se tij. Edhe në letrat e fundme ai e përmendi pengun që krijimtaria e hershme e tij, erdhi vonë tek lexuesi shqiptar por edhe tek ai kosovar.

Martin Camaj, donte një Shqipëri tjetër, jo si ajo që u krijua pas luftës, prandaj edhe u largua. Por ai kurrë nuk tha një fjalë të keqe për të, si shumë të tjerë. Ai qëndroi larg me dinjitetin e njeriut që nuk mund ta mohonte vendlindjen, tha akademik Sinani.

Martin Camaj bën pjesë tek të paktët shkrimtarë shkencëtarë të letërsisë shqipe dhe qëndron në krye të krijuesve, që i zgjodhi me vetëdije parimet e veta estetike dhe nuk shkoi rastësisht tek ato zgjedhje.

Martin Camaj e nisi krijimtarinë me dy vëllime me poezi shkruar si rapsod i veriut, por me gegërishten e Elbasanit. Gjatë jetës së tij shkroi shumë poezi e romane, duke u kthyer në themeluesin e një gegërishteje mbidialektore, as e Shkodrës dhe as e Kosovës, por që mund të lexohej lehtësisht edhe me të folmen jugore.

Në fillimet e krijimtarisë pati ndikimin e profesorit të tij, futuristit Giuseppe Ungaretti si dhe të poetit italian Eugenio Montale.

Gjithë jeta e tij shkoi në kërkim të rrënjëve të të parëve. Për këtë arsye, sipas akademik Sinanit, gjithë letërsia e Camajt është e mbushur me njerëz tradicionalë dhe studiuesit kanë material të bollshëm për t’u marrë gjatë me të./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme