U promovua libri “Ilirët dhe Iliria”, një përmbledhje e kumtesave nga Konferenca Shkencore Ndërkombëtar është mbajtur në Prishtinë

7 Qershor, 2018 - 4:30 pm

Alberina Haxhijaj

Në kudër të ditës së tretë të Panairit të Librit në Prishtinë është bërë edhe promovimi i librit “Ilirët dhe Iliria”, një përmbledhje e kumtesave nga Konferenca Shkencore Ndërkombëtare e mbajtur në Prishtinë më 3 qershor 2009, shkruan KultPlus.

“Ilirët dhe Iliria” është një vëllim i veçantë në të cilin lexuesit mund të gjejnë kumtesat nga pjesëmarrësit e Konferencës Shkencore “Ilirët dhe Iliria”, organizuar nga Kolegji Iliria. Në mesin e pjesëmarrësve kumtesat e të cilëve edhe gjenden brenda librit janë, Beqir Meta, Aleksandar Stipçeviq, Niko Stylos, Jahja Drançolli, Edi Shukriu, Mixhait Pollozhani, Nebi Dervishi, Exhlale Dobruna – Salihu, Faik Drini, Naser Ferri, Flora Sela – Kastrati, Skënder Asani, Muhamet Mala, Shpresa Hoxha, Luan Përzhita, Ilmi Veliu e të tjerë.

Sipas historianit Muhamet Malaj rëndësia dhe vlera e ilirëve dhe Ilirisë mund të gjendet pikërisht në mesin e këtyre kumtesa. Për të dëshmuar këtë ai lexoi disa nga konkludimet që kishin sjellin studiuesi pjesëmarrës.

“Aleksandar Stipçeviq konkludon se shkenca e të ardhmes do të vërtetojë se shqiptarët e sotshëm pavarësisht turbulencave të mëdha etnike e kanë ruajtur më së shumti elementin e ilirëve në qenien e tyre etnike dhe sot vetëm ekspertët e mbuluar nga urrejtja mund ta vënë në pikëpyetje prejardhjen ilirë të popullit shqiptarë”, tha ai duke zbuluar pastaj edhe detaje nga studiuesit e tjerë pjesëmarrës.

Sipas tij ky libër edhe pse merret me të kaluarën e hershme pretendon që të ketë edhe dimensionin aktual nisur nga gjendja e sotme e Ballkanit dhe përpjekjet e tij për t’u integruar në Evropë. Sipas tij pikërisht këto punime e pasqyrojnë të kaluarën e Ballkanit si një pjesë të pandashme të Evropës por edhe të civilizimit të saj ku një rol të rëndësishëm e kanë luajtur edhe ilirët.

E rëndësinë e këtij libri e çmoi shumë edhe redaktori i libritIsak Shema, ndërsa në anën tjetër Drejtori i Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Gjon Berisha, vlerësoi lartë edhe punën e kolegjit Ilira dhe të pjesëmarrësve pasi që sipas tij trajtimi i temave që kanë të bëjnë me ilirët dhe me historinë janë shumë të rëndësishme edhe pse kërkojnë shumë investime.

Gjatë ditëve sa do të zgjasë panairi do të ketë edhe promovime të librave të tjerë, ndërsa për të gjithë të pasionuarit pas librave panairi do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme