U promovua libri kushtuar veprës letrare të Arif Demollit

6 Mars, 2020 - 1:07 pm

Bujar Meholli

Nuk ka se si mos t’i kujtojmë veprat “Lushi si askushi”, “Pëllumbat e kujtimeve” e plot të tjera të cilat e kanë shoqëruar fëmijërinë tonë dhe që ma mallëngjejnë çdoherë. Këto vepra, dhe të tjera, kanë dalë nga penda e shkrimtarit të shquar Arif Demolli, i cili kishte një imagjinatë të pasur dhe dinte si të krijonte letërsi të mirëfilltë për fëmijë dhe për të rritur, shkruan KultPlus.

Arif Demolli futet në mesin e shkrimtarëve më të afirmuar shqiptar, me krijimin e veprave që edhe sot e kësaj dite janë të rëndësishme për nxënës, student e studiues. Mjafton të përmendet vepra “Vdekja e Akanit” e cila trajton temën biblike të vrasjes së Akanit, për ta parë mjeshtërinë e rrëfimit të Demollit që e bën atë shkrimtarë të veçantë.

Si sot para tri vjetëve, ai iku në amshim duke lënë pas vetes një krijimtari të pasur letrare. Karvani i shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva” përkujtoi shkrimtarin e shquar i cili ishte edhe anëtar i këtij karvani. Përveçse u kujtua, sot u përurua libri kushtuar veprës letrare të tij, një përmbledhje e shkrimeve të të tjerëve për të.

Në hapësirat e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, sot u përurua ky libër i rëndësishëm që përmbledh recensione e trajtesa nga të tjerët për Arif Demollin.

Libri “Arif Demolli mes dhimbjes, gazit e mrekullisë” i cili u prezantua para një publiku të madh, u përgatit nga bashkëshortja e Demollit, Nergize Demolli.

Për 40 vjet, ajo qëndrojë pranë tij mes dhimbjeve, vështirësive dhe gëzimeve, si bashkëpunëtore e vyer.

“Letërsia e tij prekte botën shpirtërore, sociale e politike të shqiptarit të Kosovës”, tha ajo. “Kisha mëdyshje nëse duhej t’i ndaja shkrimet për fëmijë dhe të rritur, pastaj vendosa që t’i radhisja kronologjikisht. Shpresoj se kjo përmbledhje t’i hyjë në punë secilit që e ka ndarë mendjen të merret me krijimtarinë e tij letrare”.

“Le të shërbejnë këto shkrime si hyrje në botën e pasur letrare dhe shpirtërore të Arifit. Në botën e mistereve, dhembjeve dhe gëzimeve”, u shpreh bashkëshortja e tij.

Për Arif Demollin foli edhe shkrimtari Skënder Zogaj i cili e cilësoi atë korife të fjalës së shkruar shqipe derisa lavdëroi bashkëshorten e Demollit për përgatitjen e librit.

“Arif Demolli është njëri nga korifenjtë e kultivimit të fjalës së shkruar shqipe. Pa të nuk ka liri, këngë e as atdhe”, tha Zogaj duke u ndalur dhe përmendur shkrimet kritike të personaliteteve të njohura të letrave shqipe.

Drejtori i Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Munish Hyseni po ashtu e vlerësoi lartë figurën e Demollit.

“Me mënyrën e të vepruarit, forcën e shkrimit, ai gjeti strehën e përjetshme në art. Arif Demolli shkroi lloje të ndryshme, skica, tregime, përkthime, recensione, romane e tekste këngësh”, u shpreh ai. Tutje, Hyseni theksoi se vepra e Demollit nuk ka prerje për të rritur apo për fëmijë. Sipas tij, Arif Demolli arrin të shkruajë për fëmijë dhe të mendojë për të rritur dhe anasjelltas.

Ky libër përmban 29 tekste nga të tjerët për Demollin. Mes personaliteteve që kanë shkruar për Demollin dhe që gjenden në këtë libër janë Sabri Hamiti, Ymer Elshani, Hasan Hasani, Rushit Ramabaja, Nysret Krasniqi, Abdullah Konushevci e të tjerë. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme