Vizitoret e Panairit të librit ankohen për temperaturat e larta, Zeneli e vlerëson problem periferik

8 Qershor, 2018 - 4:30 pm

Më të hyrë në Pallatin e Rinisë dhe Kulturës ku edhe tradicionalisht mbahet Panairi i Librit i cili këtë vit shënon edicionin e 20-të, vizitorët përveç librave dhe aktiviteteve të shumta po përballen edhe më nxehtësinë që e ka kapluar hapësirën e panairit, shkruan KultPlus.

Nxehtësia dhe mungesa e klimës, në hapësirën e Pallatit të Rinisë, ku mbahen aktivitete të shumta kulturore duke përshirë festivale të ndryshme të muzikës dhe filmit por edhe ku mbanë koncertet Filharmonia e Kosovës, është vërejtur më së shumti gjatë këtyre ditëve sa po mbahet edicioni i 20-të i Panairit të Librit.

E vizitorët të cilët po vizitojnë panairin nuk lënë pa komentuar edhe mungesën e klimës dhe nxehtësinë që po mbizotëron. Rina Kelmendi e cila në duar mbanë libra që i ka blerë në panair e vlerëson mbajtjen e panairit si ngjarjen më të rëndësishme dedikuar librit, gjersa kritikon kushtet në të cilat shtëpitë botuese po shesin librat.

“Punonjësit e shtëpive botuese të cilët janë mbledhur këtu e që po shesin librat nuk e di sesi po arrijnë të qëndrojë gjatë gjithë ditës. Unë kam pothuajse një orë që po bredh rreth panairit pasi që librat këtu janë më lirë dhe po ndihem e ngulfatur. Ajri është shumë i rëndë dhe klimat e vendosura vende- vende nuk po vërehet fare”, tha ajo për KultPlus.

Sipas shkrimtarit Ag Apolloni, i cili ka komentuar mbi kushtet e panairit në një postim në Facebook, ai thotë se mungesa e klimës e ka kthyer panairin në një saunë.

“Ministria e Kulturës dhe Komuna kanë dhënë pare për organizimin e panairit, por organizatorët kanë menduar më shumë, pasi e kanë kthyer Pallatin e Rinisë në një saune (përveç pjesës ku shesin vetë), ku njerëzit vijnë për t’u nxirë. Turp për organizatorët! Turp për Ministrinë dhe Komunën që nuk kujdesen çka po financojnë? Turp për botuesit që nuk protestojnë! Turp për mediat që nuk e raportojnë këtë gjendje të panairit!”, ka shkruar ai në postimin e tij në Facebook.

Tutje ai ka shtuar se duhet kërkuar falje blerësve që përkundër këtyre kushteve po interesohen për librat.

“Të gjithë së bashku duhet t’u kërkojnë falje blerësve (lexuesve), të cilët, edhe në këto kushte të tmerrshme (me klimë saharaje), po vijnë pas librit. Ju që vini në Panair, bleni ujë në qytet, se në hyrje të panairit e keni shishen me çmim trefish më të shtrenjtë”, përfundon postimi i tij.

Ndërsa sipas Anëtarit të Bordit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Abdullah Zeneli, organizatorët e panairit kanë blerë pajisje shtesë për të rregulluar gjendjen, mirëpo sipas tyre ky nuk është problem themelor.

“Ashtu siç e dini Pallati i Rinisë i takon Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ky nuk është objekt të cilin e mirëmbajnë organizatorët e Panairit të Librit. Ne vetëm e kemi marrë objektin me qira dhe kemi bërë çdo gjë që kemi mundur. Është shumë e padrejtë të na fajësojnë neve si organizatorë. Ne kemi bërë të pamundurën dhe kemi blerë edhe pajisje shtesë të cilat janë shtuar. Duhet që të kuptohet se temperaturat janë të larta dhe vetëm për momentin kemi më shumë se 500 veta në Panair. Nuk mendoj që duhet të merremi më këto gjëra periferike, është absurde”, tha ai për KultPlus.

Për të gjithë të pasionuarit pas librave panairi do të jetë i hapur deri më 10 qershor në ambientet e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme