12 trupa teatrore në edicionin e 23-të të Festivalit Ndërkombëtar “Skampa”

13 Tetor, 2022 - 11:35 am

Në Elbasan ka çelur siparin edicioni i 23-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa”, një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike e kthyer tashmë në traditë.

Ky festival realizohet falë mbështetjes së bashkisë së Elbasanit dhe kujdesit të veçantë të kryetarit të bashkisë, Gledian Llatja.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit vjen edhe këtë vit me risi duke sjellë shfaqje dhe 12 trupa teatrore nga vende të ndryshme të Evropës dhe Ballkanit, si Itali, Poloni, Spanjë, por si gjithnjë nuk mungon edhe pjesëmarrja e teatrit të Kosovës, të cilët do të ngjiten në skenë për spektatorin elbasanas për gjashtë ditë me radhë.

Ky festival, përkon edhe me 60-vjetorin e krijimit të Teatrit Profesionist “ Skampa” në Elbasan. Për këtë qëllim, është organizuar një Grand Gala, për të kujtuar krijimin e Teatrit Profesionist “ Skampa” me pjesëmarrjen e shumë aktorëve, regjisorëve e figura të dashura që i dhanë aq shumë Elbasanit dhe publikut artdashës.

Në fjalën e tij, kreu i bashkisë Gledian Llatja, ka përshëndetur të pranishmit si dhe gjithë emrat e mirënjohur të artit shqiptar, që çdo vit marrin pjesë në këtë ngjarje kaq të rëndësishme artistike dhe që organizohet pikërisht në qytetin e dijes, duke theksuar se “ky festival i jep gjallëri jetës kulturore në qytet duke bashkuar kombe, kultura e tradita”.

Llatja tha se se “tradita e këtij festivali duhet të vazhdojë për vlerat e mëdha që i jep qytetit të Elbasanit, por jo vetëm”.

Sa i takon 60-vjetorit të Teatrit Profesionist “Skampa”, kryebashkiaku shtoi se “Elbasani është një artdashës i teatrit, i artit dhe muzikës, ndaj ne i kemi dhënë vlerësimin e duhur. Por ne tashmë jemi në mbyllje të projektit të Teatrit Skampa” dhe besoj se shumë shpejt do të nisim edhe rikonstruksionin e teatrit. Janë shumë të hershme aktivitetet kulturore artistike në Elbasan, në 15 korrik të 1962 u bë një teatër profesionist, por tashmë ky teatër është kthyer edhe në ndërkombëtar”.

Kryebashkiaku vlerësoi me titullin e mirënjohjes “Qytetar Nderi” aktorin dhe regjisorin e mirënjohur të skenës shqiptare Spiro Duni, i cili ka qenë gjithnjë dashamirës dhe pjesëmarrës aktiv i trupës së teatrit “Skampa”.

Festivali “Skampa” është aktiviteti më i madh teatror që zhvillohet në vendin tonë, ai mund të cilësohet edhe si një “Festival Laborator”, pasi aty përfshihet edhe organizimi i veprimtarive ku shpalosen metodat bashkëkohore skenike, në fushën e eksplorimit artistik e menaxherial, përmes seminareve dhe work-shopeve.

Festivali është bërë pjesë e trashëgimisë të teatrit shqiptar, ndër më të spikaturit në rajon në shërbim të zhvillimeve bashkëkohore të teatrit, një platformë atraktive e edukimit përmes artit.

Duke u krahasuar me festivalet e tjera te teatrit ne vend, Festivali “Skampa”, në çdo edicion, ka pasur numrin më të madh të shfaqjeve, me pjesëmarrjen e rreth dyfishit të trupave teatrore dhe shtrirjen më të gjerë gjeografike të tyre.

Festivali i parë Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor “Skampa ’99” hapi siparin 23 vite më parë në Elbasan, me sloganin “Format e reja”, në koherencë me zhvillimet integruese evropiane, si i pari festival ndërkombëtar teatror, që i çeli rrugën edhe festivaleve të tjera në Shqipëri.

Pa dyshim nuk ka munguar trupa e Teatrit “Skampa” e cila ngriti siparin e këtij festivali me premierën “Jashtë bie borë”, me regji të Hervin Çulit, një komedi e cila synon të përçojë vlerat e dashurisë për familjen, interpretuar me mjaft profesionalizëm nga aktorët Hervin Çuli, Helidon Fino, Hysen Mullajonuzi dhe Mario Elezi.

Aktorë të mëdhenj të skenës shqiptare përcollën emocionet që ky festival u dhuron çdo vit./ KultPlus.com

Të ngjajshme