21 vite nga vdekja e Frank Sinatrës, një nga artistët më të mëdhenj të Shekullit XX

14 Maj, 2019 - 11:30 am

Francis Albert Sinatra ishte një këngëtar, aktor dhe producent amerikan dhe një nga artistët më popullorë e më me ndikim i shekullit XX. Ai është nga artistët muzikorë të të gjitha kohërave që ka shitur më shumë albume.

Frank Sinatra ishte padyshim një artist argëtues, një këngëtar zëri unikal i të cilit magjepste miliona njerëz.  „Ol’ blue eyes”, siç e thërrisnin amerikanët, Francis Albert Sinatra lindi në vitin 1915 në qytezën Hoboken në Nju Xhërsi. Qëkurse ishte adoleshent ai nisi të këndojë nëpër klubet e qytetit të tij të lindjes kundrejt bakshisheve që i jepnin dashamirësit. Për shkak të qëndrimit të rrëmbyer atë e përjashtuan nga shkolla pak përpara përfundimit, gjë që nuk e shqetësoi aspak sepse ai ëndërronte të bëhej këngëtar. Hapat e parë të karrierës Frank Sinatra i hodhi me kuartetin vokal The Hoboken Four, pak kohë më vonë ai debutoi solo në një lokal me një pagë prej 50 dollarësh në javë. Në vitin 1939 ai nënshkroi kontratë me Harry James, drejtues i një grupi muzikor dhe paskëtaj u publikua albumi i parë i Sinatras. Nga ky album u shitën 8000 kopje.

Sinatra prekte veçanërisht zemrat e tifozeve gra. Ai ishte i pari artist që shkaktoi histeri masive në vitet 1940: mijëra vajza të reja thërrisnin duke humbur ndienjat kur shikonin Sinatrën duke kënduar në skenë.

Në fillim të viteve 1950 nisi të shuhet shkëlqimi i Sinatras. Aferat e shumta me gratë dhe dyshimet për kontakte me mafian ia cënuan imazhin e fituar si njeri i pastër. Columbia Records anulloi kontratën dhe spektakli i parë televiziv i tij ishte një dështim. Ai e morri veten pas këtij dështimi të rëndë në karrierë me rolin në filmin klasik të Hollivudit “From Here to Eternity”.

Frank Sinatra ishte një ndër artistët më të sukseshëm të kohës. Ai fitoi 18 herë Grammy dhe mendohet të ketë shitur rreth 800 milionë disqe në mbarë botën. Më 14 maj 1998 ai ndërroi jetë nga një atak kardiak. Në Las Vegas u shuan dritat për dhjetë minuta në nderim të tij.

Në San Domenico të Taorminës vitet e fundit një trupë japoneze instalonte dritat dhe kamerat në një kënd interesant të kuvendit antik të shndërruar në hotel luksoz. Vemendja ishte drejtuar krejt te një zotëri me shtat pak më tepër se mesatar, veshur si s’ka më mirë, që luante në pianoforte të hatashmen “Night and Day”. Pastaj një gazetar e ndërpreu me një varg pyetjesh: ishte i pari ciak i një dokumentari për të, personazh i jashtëzakonshëm që si pensionist luante për turistë elitarë. Por një kohë… Një kohë Chico Scimone, i bukur, i fortë, pianist i talentuar, emigroi në SHBA me të parën nga pesë gratë e tij, aktoren spanjolle Aurora De Alba, e filloi të japë koncerte në klubet e natës në Nju Jork e Çikago. Më patën ndihmuar “miqtë””, tregonte Chico. “Bosët mafiozë siciliano-amerikanë ishin të gjithë nostallgjikë për tokën e tyre, vinin në koncerte, na takonin edhe në anijet kroçiera ku më rastiste të jepja shfaqje.” Ardhjet e tyre na krijonin plot ngatërresa me drejtësinë, por asnjë lidhje midis Scimone e mafia nuk është provuar kurrë. Edhe pse në klubin e tij të natës të Taorminës, “La Giara”, kalonin Richard Burton e Liz Taylor, Gregory Peck e Peter Ustinov, por edhe bosi i Cosa Nostra, Lucky Luciano, tashmë i padëshiruar në SHBA. Pianistja ka vdekur më 9 prill, 94 vjeçe. Nuk ka arritur ta lexojë emrin e tij në librin Sinatra – The life (Botues Knopf, 580 faqe), libri më i ri për The Voice (që sivjet do të mbushte 90 vjet, duke pasë lindur më 12 dhjetor 1915), shkruar nga Anthony Summers e Robbyn Swan. Autorët, që kanë hetuar gjatë marrëdhëniet Sinatra-mafia, temë qendrore e librit, e intervistuan Scimone më 2002. Thonë: “Frank kishte pasur marrëdhëniet me bosët njujorkas në vitet 1938-39. Pianisti Chico Scimone, që luajti shumë herë për Frank Costello e Willie Moretti, kujton – pa dhënë datë të saktë – se një herë Costello e ngarkoi për një detyrë të pazakonshme. “Miqtë e Nju Xhersit flisnin për një djalë me zë të bukur, donin ta dëgjonin, e prandaj organizuan një dëgjim special ku ai duhej ta shoqëronte këngëtarin me pianoforte.” Djali, tregon Scimone, ishte Frank: “Mafia – vazhdon ai – mund ta krijojë e fare lehtë ta shkatërrojë një karrierë.” Chico ka qenë i kthjellët deri në fund e nuk ka dyshim se në aventurën e tij të furishme amerikane të ketë pasur një takim me Sinatrën. Gjithë jetën Sinatra ka mohuar çdo lidhje me mafiozët, deri në dëshminë e fundit dhënë më 1980 para Nevada State Gaming Control Board, ku u betua për të kushedisatën herë se Willie Moretti, një nga më të adhuruarit e Lucky Luciano, “nuk ka pasur fare të bëjë me karrierën time”. Autorët, përkundrazi, flasin për njëfarë vëllazërie natyrore me mafiozët siciliano amerikanë imponuar nga gjyshërit nga babai, Francesco Sinatra e Rosa Sgalimbeni, që vinin nga i njëjti fshat, Lercara Friddi, për më tepër, nga e njëjta rrugicë, Via Margherita di Savoia, ku Salvatore Lucania, “në art” Lucky Luciano, kishte lindur më 1897.

Për lidhjet që Frank e Lucky kanë pasur nga vitet Dyzet (1940) deri në vdekjej e bosit mafioz në Itali më 1962, është shkruar shumë. Sinatra, me gazetarët si me gjyqtarët, minimizonte: “Ne artistët jemi njerëzorë me të gjithë. Shtrëngojmë dorën me të gjithë ata që vijnë të na përshëndesin.” Por në biografitë zyrtare, hollësitë për disa miqësi kanë mbetur gjithnjë tabù, edhe pse e bija Nancy, në librin “Frank Sinatra: An American Legend”, ribotuar më 1998, nuk e fsheh se është rritur duke i parë përqark gjithnjë “ata njerëz”. Autorët e librit të fundit nuk kanë përtuar t’ia lënë këtë fakti se ai ishte italian, madje sicilian, nga klani Sinatra (prindërit e tij gjatë proibicionizmit kishin një pijetore klandestine në Hoboken të Nju Xhersit, fshatit të lindjes të Frank). David Evanier, që ka shkruar librin “The Jimmy Roselli Story – Making the Wiseguy Weep (Botim i Farrar, Straus and Giroux, 1998), biografi e autorizuar e një këngëtari tjetër nga Hoboken, edhe ai sicilian, edhe ai disi gjenial, por jo si The Voice, thotë: “Kur fillova të jem famoz, mafiozët gjithnjë ishin të parët në karriket e teatrit me cigarishten e tyre në gojë. Më adhuronin, por donin të më vrisnin se nuk bëja lojën e tyre. I ndalonin nënat dhe motrat e tyre të më vrisnin.” Por jo gjithnjë mund t’iu thoshe jo: Roselli, që ende është gjallë, këndoi në dasmën e John Gotti Jr, kishte mes adhuruesve edhe Carlo Gambino e ishte disa herë mik në konakun e tij. E, sa për të demonstruar se bosët mafiozë, në thelb, kanë një shpirt si adhuruesit e tjerë, Larry Gallo urdhëroi të varroset në duar, në vend të tespieve, një album të Jimmy. Roselli për të cilin thoshte: “Një djalë i artë, simpatik, i besës.” Por tregon pa ngurim edhe atë që Sinatra nuk ka dashur kurrë ta pranojë: ato vite askush nuk do të hynte në qarqet e serisë A të klubeve të natës pa simpatinë e mafias. Joe E. Lewis, komiku që deshi të bënte në mendjen e vet, për pak sa nuk shkoi në atë botë, ndërsa Frank e Jimmy Durante, u hapërn dyert e Copacabana të Nju Jorkut (pronë e Frank Costello), të Latin Quarter në Boston e të lokaleve më të mira të Las Vegas, oaze të mafias së re. Sinatra ishte dinak, si italian i mirëfilltë kish një familje e tre fëmijë me të cilët merrej përditë, po jashte shtëpisë ishte mjeshtër i biznesve dhe i femrave. Kishte të dhëna që nuk i kish as Roselli as Durante, sex appeal e sy blu. Në foton që e tregon si të burgosurin 42799, bërë më 1938 nga policia e Nju Xhersit, 23 vjeçari Frank është i bukur deri në marramendje, me një bukuri dehüese e moderne diku mes Bowie e Di Caprio. Nuk kish vjedhur as vrarë kurrë, nuk kishte prekur femër me dorë. Por familja e kishte denoncuar. Një martesë e rrufeshme shfajësuese me Nancy, si në çdo familje të mirëfilltë siciliane, e sheshoi incidentin.

Frank Sinatra dikur shërbeu si korrier i Mafias dhe për pak i shpëtoi arrestimit kur ishte me një zarf që përmbante $3.5 milionë para të thata. Kështu artisti Jerry Lewis iu tregoi autorëve të një libri të ri, pjesë të të cilit u botuan në numrin më të ri të revistës Vanity Fair. Rrëfimi i Lewis është një nga historitë e shumta që e lidhin këngëtarin legjendar me krimin e organizuar në biografinë e paautorizuar „Sinatra: The Life”, e shkruar nga Anthony Summers dhe Robbyn Swan dhe që del më 16 maj nga shtëpia botuese Alfred A. Knopf. Sinatra gjithmonë i pati mohuar lidhjet me Mafian, ndërsa FBI publikoi materiale për këto lidhje në dhjetor 1998, shtatë muaj pas vdekjes së tij, duke e portretizuar këngëtarin-aktor si një mik të ngushtë të bosit mafioz të Çikagos, Sam Giancana. Dokumentet e FBI-së gjithashtu tregojnë se ai ka pasur takime me mafiozen Lucky Luciano gjatë udhëtimit të tij të vitit 1947 në Kubë dhe bënin të ditur se karriera e tij e hershme e të kënduarit ishte mbështetut nga një mafioz i famshëm i Nju Xhersit, me emrin Willie Moretti. Libri sjell fakte të reja që thuhet se ia ka dhënë Lewis, një nga shokët e Sinatrës në „Rat Pack” që nga vitet 1960. Lewis ka thënë se Sinatra transportonte para të Mafias. “Ai ishte me plot dëshirë kryes i porosive të mafiozëve,” është cituar nga autorët të ketë thënë Lewis. “Dhe unë jam dëshmitar i një rasti…në Nju Jork.” Lewis është cituar të ketë thënë se Sinatra ishte duke kaluar doganën me një zarf që përmbante “tre milionë e gjysëm” dhe zyrtarët e doganës deshën ta kontrollonin. Por të detyruar nga turmat që brohoritnin dhe e rrethonin artistin yll, zyrtarët hoqën dorë. Nëse ata do ta kishin kontrolluar, thotë Lewis, “ne kurrë nuk do të kishim dëgjuar më për të.” Lewis tha se rasti kishte ndodhur menjëherë pasi Luciano ishte përzënë nga Shtetet e Bashkuara për në Itali më 1946.

Me jetën sentimentale të Sinatrës është marrë me keqdashje tejet të helmët Kitty Kelley, që më 1987 botoi librin “A modo suo” (Botim i Longanesi & C.). Biografia e Sinatrës është shpërndarë edhe nëpër kujtimet e Lauren Bacall e Judy Garland, Lana Turner, Marilyn Monroe e Gloria Vanderbilt. Gerald Clarke, në librin “Get Happy – The life of Judy Garland” (Botim i Random House, 2000), vë në dyshim edhe burrërinë e Frank. Judy thotë se Frank nuk ishte kurrë në lartësinë e duhur. Ishte pra Sinatra dashuruesi misterioz që e detyronte divën të këndojë “Over the Rainbow” në mënyrën më të papërsëritshme? Frank Sinatra kishte marrëdhënie të përzemërta me të gjitha të dashurat, por kishte edhe avokatë të mirë dhe dinte si t’i sulmonte gazetarët pa hamendnin pa prova kundër tij. E mbi të gjitha dinte t’i mbante “miqtë” larg jetës së tij publike; në një botë ku mediat nuk ishin pasuruar si sot, ia arrinte t’i administronte gjithsesi mirë. “Pasi Luciano u ekstradua në Itali, Sinatra, edhe ai në vizitë në këtë vend, bëri gjithçka për të mos e takuar, por ata të dy shkëmbyen shumë telefonata,” tregon shoqja e fundit e bosit, Adriana Rizzo, që flet për një shkrepse ari që artisti ia ka dhuruar me kushtimin “Mikut tim të dashur Charlie Luciano”, duke vënë poshtë firmën që miliona vajza amerikane do të donin ta kishin në fletoret e tyre. Sepse që nga viti 1945, pasi la orkestrën e Tommy Dorsey, Frank ishte një idhull i muzikës idolo pop që bllokonte trafikun në Times Square kur luante në Paramount Theater. Publiku rrinte në radhë që pa çelur dita për biletat e koncerteve. Bono i U2, shumë kohë më vonë, pasi kishte duetuar me Frank “I’ve Got You Under My Skin”, e pagëzoi “Big Bangu i muzikës pop”. Po kush e bindi Dorsey ta ndërpresë kontratën me Sinatrën? Kush e pagoi shumën që lideri i grupit kërkonte për ta lënë të lirën Sinatrën të bëhej solist? Kush e futi në Hollivud nga dera kryesore e studios MGM? Miqtë. Ata ishin atje kur ende nuk ishte The Voice. Ishin edhe kur ylli i Frank po perëndonte për shkak të zërit të lodhur, nervave të prishura nga dështimi i martesës me Ava Gardner e plot travajeve të tjera.

Të ngjajshme