23 Maj, 2025 - 2:53 pm
Për herë të parë në Kosovë këtë vit organizohet Festivali i Koreve të Fëmijëve “Crescendo Choir Festival”, në të cilin do të marrin pjesë: Siparantum Kids, Okarina, White Voice dhe Amadeus, shkruan KultPlus.
Ky festival unik promovon edukimin muzikor, artin koral dhe talentet e reja përmes performancave magjike të koreve nga fëmijët dhe të rinjtë, duke i dhënë zë pasionit të tyre për muzikën. Kjo ngjarje e pasur kulturore synon të krijojë një hapësirë bashkëpunimi, shkëmbimi përvojash dhe frymëzimi për të rinjtë, dirigjentët dhe edukatorët artistikë.
Në këtë edicion, do të marrin pjesë mbi 200 fëmijë dhe adoleshentë nga katër kore të mirënjohura të shkollave të muzikës dhe institucioneve kulturore në Kosovë. Koret pjesëmarrëse do të interpretojnë një përzierje të veçantë këngësh shqiptare dhe ndërkombëtare, me repertor origjinal dhe të larmishëm.
Siparantum Kids – Dirigjent: Memli Kelmendi
Okarina – Dirigjente: Elikonë Hysaj
White Voices – Dirigjent: Artan Jërliu
Amadeus – Dirigjent: Vehbi Shosholli
Ky festival përfaqëson një platformë artistike që promovon talentin, edukimin dhe bashkëpunimin kulturor, duke sjellë repertor kombëtar dhe ndërkombëtar për publikun e gjerë.
“Crescendo Choir Festival” mbahet më 28 maj në Kishën “Shën Ndou”, në ora 18:00./ KultPlus.com