‘Crescendo’ sjell për herë të parë në Kosovë Festivalin e Koreve të Fëmijëve

29 Maj, 2025 - 10:59 pm

Vjollca Duraku

Mbrëmë, në Kishën Katolike “Shën Ndou” , është mbajtur edicioni i parë i Festivalit të Koreve të Fëmijëve “Crescendo”, me pjesëmarrjen e koreve “White Voices”, “Amadeus”, “Siparantum Kids” dhe “Okarina”, shkruan KultPlus.

Si asnjëherë më parë, ky aktivitet ka grumbulluar dhjetëra talentë të rinj të cilët i dhanë një dimension tjetër artit koral, të kultivuar ndër vite nga shpirti artistik i dirigjentëve Artan Jerliu, Vehbi Shosholli, Memli Kelmendi dhe Elikonë Hysaj- Shala.

Kori i fëmijëve “White Voices” ishin të parët që interpretuan në këtë mbrëmje plot magji. Si një burim i pastër në eter ky kor emetonte frekuenca të lehta, të brishta dhe plotë dashuri me veprat: “Canon of Praise from “Kanon” Johann Pachelbel” nga Hal H. Hopson dhe “Solfege Simphony” nga Cristi Cary Miller. Ndërkaq, vepra “Trim Vigan Pjetër Bogdani” nga Gjon Gjevelekaj që himnizonte kontributin e këtij personaliteti zgjonte krenari dhe një dhimbje njëkohësisht, të cilat zbuteshin në ndjenja melankolie vetëm nga interpretimi i “zërave të bardhë”.

Përmes tre këngëve të tjera në skenën me akustikë të jashtëzakonshme u prezantua edhe kori i fëmijëve “Amadeus”. Këngët për arbëreshë dominuan në këtë paraqitje fantastike të korit, emri i të cilit lidhet ngushtë me gjeniun e madh të artit muzikor “Moxart”, talentin hyjnor dhe pasionin artistik. Valë- valë deri në palcë përcillej malli shpirtëror shekullorë i këtij komuniteti ndaj atdheut të tyre përmes veprave “Këndojmë me mall” dhe “Kushtrimi Arbëresh”- Rauf Dhomi. Kurse, vepra “O sole mio” nga Eduardo di Capua dëshmonte nivelin e lartë interpretativ të fëmijëve edhe në vepra të njohura botërore.

Kori i fëmijëve “Siparantum Kids” përmes paraqitjes së tyre i dhanë skenës një energji më gjallëruese. Zëri i tyre plotë jetë i kombinuar së bashku me lëvizjet trupore shpërfaqte në plotni natyrën fëminore plot energji, gaz, hare dhe ëndërra. Me veprën Fruit Canon (Mango Mango Mango) fëmijët morën me vete në interpretim edhe publikun në sallë, që gjatë tërë mbrëmjes ndiqte performancat me admirim. Në koncert u interpretuan edhe veprat “Pranvera” nga Enver Stafai dhe “The Rhym of Life” nga Cy Colman, që zbërtheheshin në emocione për të shpërthyer në duartrokitje më pas.

Kurse, kori i fëmijëve “Okarina” me këngën “Nothing else matters” nga Metallica me zërin e tyre kristal përmes një refreni emocional perifrazonin në mënyrën më të qiltër të mundshme se asgjë tjetër nuk ka rëndësi përveq asaj që njeriu e ndien. “Revolting Children”- Musical “Matilda” u dha po ashtu në skenën që mbante përplot talente. Kurse, kënga labe “Janinës ç’i panë sytë” me solisten Tuana Krasniqi përmes një timbri të fuqishëm që shpërfaqte guxim shpërthente në sfond me dhetëra zëra të butë okarinash, duke i dhënë origjianlitet këngës labe dhe fuqi potencialit të tyre artistik.

Në këtë mbrëmje të veçantë me vepra klasike, bashkëkohore dhe tradicionale, si korepetitorë u prezantuan: Etrita Hasani, Anjeza Namligjiu dhe Agron Shujaku.

Pas koncertit, në një prononcim për KultPlus drejtoresha Diana Toska ka thënë se ndjehet jashtëzakonisht e lumtur që ka arritur të jetësojë ëndërrën e saj, atë të organizimit të një festivali të koreve të fëmijëve.

“Me shumë krenari dhe mirënjohje të thellë mund të them që sot ishte dita më e lumtur e jetës sime, sepse arritëm të realizojmë një ëndërr, e cila dal nga dal po vjen në jetë. Është Festivali i Koreve të Fëmijëve “Crescendo”, një festival i cili i ka munguar vendit tonë, e që është pritur jashtëzakonisht mirë si ide. Të gjithë dirigjentët kanë bërë një punë të palodhshme me disiplinë dhe përkushtim duke na sjell sonte një repertoar shumë të pasur me vepra shqiptare dhe ndërkombëtare. I falënderoj nga zemra të gjithë ata të cilët e mbështetën këtë iniciativë”, ka thënë drejtoresha Toska, duke potencuar edhe planet  për zgjerimin e festivalit, për t’i përfshirë edhe shkollat dhe institucionet tjera kulturore të cilat ekzistojnë në vend.

Kurse, dirigjenti i korit “Amadeus”, Vehbi Shosholli krijimin e Festivalit “Crescendo” e ka cilësuar si një nismë të spikatur, e cila sipas tij do të ishte mirë të zgjerohej edhe më.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur për iniciativën dhe për themelimin e këtij festivali, shumë i lumtur që po krijohen festivale ku performanca bëhet nga fëmijët. Kemi pak festivale të tilla, mjerisht. Por, kjo është një shtytje për artistët tjerë që të krijojnë festivale të tjera, ku performues janë fëmijët. Ishte një përvojë shumë e mirë, një ambient shumë i këndshëm. Publiku është jashtëzakonisht i interesuar për performanca të tilla. Ne jemi ndarë shumë të kënaqur”, ka thënë Shosholli duke potencuar edhe rëndësinë e investimit në artin koral dhe jo vetëm. 

“Ne duhet të investojmë në mënyrë që të krijojmë gjenerata të reja për të ardhmen. Pra këta fëmijë që interpretuan sot në skenë si koristë të rinj, kanë potencial të jenë anëtarë të korit të Filharmonisë. E njëjta gjë do të vlente edhe për ndonjë festival të orkestrave të fëmijëve, të cilët pas disa vitesh do të mund të ishin anëtarë të Filharmonisë në instrumente të ndryshme. Nëse ne kontribuojmë dhe japim gjithçka nga vetja për këta fëmijë, do të jetë e sigurtë edhe e ardhmja në aspektin e muzikës”, ka thënë dirigjenti Shosholli.

Ndërkaq, dirigjentja Elikonë Hysaj- Shala ka thënë se arsimimi i mirëfilltë në rrafshin e artit dhe kulturës do të kontribuonte në ngritjen e shoqërisë dhe të komunitetit në përgjithësi.

“Çdo herë është emocionuese kur diçka iu dedikohet fëmijëve. Kjo gjë duhet të vazhdojë dhe të bëhet traditë, në mënyrë që fëmijët të marrin edukimin e duhur, që iniciativat të jenë në ngritje, me një sukses të tillë. Unë i përgëzoj organizatorët e festivalit “Crescendo”, ka qenë një nismë e mbarë dhe mëse e nevojshme për Kosovën. Dihet që në Kosovë ka një traditë për kore të fëmijëve dhe të rriturve, por ky festival i ka munguar skenës sonë. Shpresoj që ky festival të ketë rrugë të gjatë të suksesit” ka thënë dirigjentja Hysaj- Shala.

Kurse, dirigjenti Memli Kelmendi duke ndarë përvojën e tij nga arena ndërkombëtare, i ka përgëzuar organizatorët për një organizim sipas tij të shkëlqyer.

“Nisur nga përvoja ime edhe nga ato që i shoh gjithandej nëpër botë, konsideroj që është një nismë që i është dashur vendit tonë shumë më herët. Unë dua ta përgëzoj për këtë iniciativë Dianën, Artanin dhe tërë stafin për një nismë kaq të suksesshme. Organizimi i këtij edicioni për nga profesionalizmi ngjason me një edicion të 10-të. Kanë bërë një punë shumë të mirë, diçka që i motivon fëmijët, ndonëse nuk ishte garues, megjithatë kjo tregon potencialin që ka vendi jonë për të vënë në skenë artistë dhe për të zhvilluar artin koral. Besoj që ky organizim do t’i motiovjë edhe organizatorë të tjerë për të formuar kore të reja. Kjo e ndihmon edhe vendin tonë për një zhvillim kulturor në të ardhmen” ka thënë dirigjenti Kelmendi.  

Në fund, dirigjenti Artan  Jerliu i cili është edhe drejtor artistik i festivalit ka thënë se ndihet i lumtur që gjithçka është realizuar ashtu siç është paraparë nga angazhimi disamujor i stafit të “Crescendo”.

“Mendoj se shkoi gjithçka ashtu siç është paraparë. Fëmijët e kanë mirëpritur organizimin e këtij festivali. Po ashtu edhe prindërit. Audienca është ndarë jashtëzakonisht e kënaqur, kështu që gjithçka ishte në nivel. Si proces i punës ka zgjatur diku rreth 4-5 muaj për të organizuar Festivalin “Crescendo”, ku së bashku me pjesën tjetër të stafit jami angazhuar për të sjellë këtë performancë që është prezantuar sonte. Vështirësi kemi pasur në aspektin e sigurimit të një ambienti të përshtatshëm për të realizuar këtë koncert të veçantë. Në fund vendosëm që ta realizojmë në Kishën Shën Ndou për shkak të akustikës së duhur”, ka përfunduar dirigjenti Jerliu./ KultPlus.com

Të ngjajshme