Adele: Trupi im është përfolur përgjatë gjithë karrierës sime, sidomos nga gratë

15 Tetor, 2021 - 2:33 pm

Nëse ka diçka që nuk duhet diskutuar apo përfolur, është pesha e dikujt. Secili ka një pasqyrë ku shihet të paktën çdo mëngjes dhe i vë re ndryshimet tek vetja. Nuk është e nevojshme t’ia vëmë ne në dukje me komente të tepruara që vetëm do e bëjnë të ndjehet keq. Ne shqiptarët e kemi dhe zakon që kur e themi diçka, nuk e themi as me takt, por ia plasim tjetrit një fakt në fytyrë dhe kjo gjë normalisht e lëndon atë.

Gjendja rëndohet nëse je një person publik. Të jesh i njohur në shoqëri ka si të mirat, edhe të keqijat e veta. Fakti që je i ekspozuar ndaj një grupi të madh “fansash” nëpër rrjetet sociale, normale që dhe mundësitë të të përflasin për trupin tënd janë më të mëdha. I tillë është dhe rasti i Adele, e cila për shumë kohë bëri një shkëputje nga bota e muzikës, por sërish mbeti në vëmendjen e fansave të saj për shkak se humbi shumë kg në pak kohë. Më parë e përflisnin për kg e tepërta, ndërkohë kohët e fundit e përflasin se po bën gabim që nuk e ndan “sekretin” e saj të rënies në peshë. Më poshtë do të mund të lexoni një pjesë nga një intervistë e Adele, ku këngëtarja flet edhe për këtë pjesë.

“Trupi im është përfolur përgjatë gjithë karrierës sime. Jo vetëm tani. Dhe më e keqja, është përfolur nga femrat. Kjo gjë normalisht më ka zhgënjyer pamasë. Më ka bërë të ndihem keq.

Kohët e fundit janë thënë shumë gjëra lidhur me ndryshimin tim, nuk bëhej fjalë për të humbur peshë. Çdo gjë lindi për të kontrolluar ankthin tim. Unë e kuptova se duke u ushqyer pak dhe shëndetshëm, ndihesha më mirë.

Njerëzit ndërkohë filluan edhe me ofendime në rrjetet sociale, se pse nuk e ndaja me ta regjimin që kisha ndjekur për të rënë në peshë. Mendoj se kjo gjë ka ndodhur, pasi ne jemi mësuar që personazhet publikë të dokumentojnë çdo gjë në Instagram. Unë këtë transformim e kam bërë për veten time dhe për asnjë person tjetër. Në fund të fundit, pse duhet ta ndaja? Nuk më duket me vlerë. Është diçka që më përket mua, ka lidhje me trupin tim”. /bota.al/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme