Albina dhe familja Kelmendi synojnë majat e Eurovisionit (VIDEO)

13 Maj, 2023 - 6:00 pm

Këngëtarja nga Kosova, Albina Kelmendi, e cila denjësisht po përfaqëson Shqipërinë në Eurovision, të enjten mbrëma u ngjit në skenën e Liverpulit.

Ajo së bashku me Familjen Kelmendi elektrizuan sallën e “M&S Bank Arena”  dhe kështu siguruan të parët votat e audiencës për ta çuar vendin që përfaqësojnë në finalen e madhe të kësaj gare evropiane.

Me të nisur kënga “Duje”, e gjithë skena e këndimit u shndërrua në kuq e zi – ngjyra këto që përkonin me flamurin kombëtar.

Për paraqitjen më të rëndësishme në karrierën e saj deri më tani, Albina ishte përkujdesur që të vishej me një kostum të zi e të dekoruar me copëza metali që në tërësi dukej si ato veshjet tradicionale të nuseve shqiptare, por njëkohësisht ngjasonte edhe me heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Madje në një çast kur kënga u bë edhe më ritmike, Albina & Familja Kelmendi i nxorën pecetat dhe filluan të vallëzojnë (pjesërisht) valle kombëtare – kështu duke e vulosur identitetin e tyre.

Pas kualifikimit, ajo ka bërë një prononcim për media, ku ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë si vëlla dhe motër që kanë një nënë Shqipërinë e Madhe.

“Ne jemi të një gjaku, të të njëjtit nacionalitet. Kosova dhe Shqipëria janë si vëlla dhe motër dhe ne kemi një nënë që është Shqipëria e Madhe”, tha Albina.

Shtetet tjera që arritën të kualifikohen në natën e dytë gjysmëfinale janë edhe Qiproja, Estonia, Belgjika, Austria, Lituania, Polonia, Australia, Armenia dhe Sllovenia.

Ndërkaq, në natën e parë gjysmëfinale, për finalen e së shtunës u kualifikuan Kroacia, Moldavia, Zvicra, Finlanda, Çekia, Izraeli, Portugalia, Suedia, Serbia dhe Norvegjia.

Tani këto 20 shtete, plus gjashtë të tjera, në mesin e tyre fituesi i vitit të kaluar që është Ukraina, por edhe “pesëshja e madhe”, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Spanja dhe Italia, do të garojnë të shtunën mbrëma për finalen e madhe të Eurovision 2023, me ç’rast juria dhe publiku do të vendosin për fituesin.

Kujtojmë se nga viti 2004, kur Shqipëria u paraqit për herë të parë në këtë garë, asnjëherë nuk arriti ta fitojë atë. Pozita më e lartë e arritur është vendi i 5-të në vitin 2012 me këngëtaren Rona Nishliu.

Tani Albina & Familja Kelmendi shpresojnë se do ta shkruajnë historinë duke u renditur më së larti në Eurovision.

Kush është Albina Kelmendi?

E lindur në Pejë më 27 janar të vitit 1998, qysh në moshë të re ajo nisi të merrej me muzikë dhe shkrim të teksteve.

Kelmendi mori famë në moshën 16-vjeçare në finalen e “The Voice of Albania”, kur të katër gjyqtarët pëlqyen paraqitjen e saj.

Në qershor të vitit 2022, ajo publikoi albumin e saj debutues, “Nana”, i cili u vlerësua pozitivisht.

Ndërsa më 23 dhjetor 2022, Albina & Familja Kelmendi u shpallën fitues nga votat e publikut me këngën “Duje” në edicionin e 61-të të “Festivalit të Këngës” në RTSH. Me këtë fitore u vendos se ata do ta përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision 2023.

E quajtur Albina & Familja Kelmendi, asaj i bashkohen në grup nëna Albana, babai i saj Bujari, vëllai i saj Albini dhe motrat Vesa dhe Sidorela.

Ky është teksti i këngës përfaqësuese të Shqipërisë në Eurosong:

Diçka mrena
Frymën ma nal’
S’di çka bohet, bohet
Po du me e nal’
(Ç’ka o ka bohet?!)
Krejt tu i pas’
E krejt tu i pas’
S’po muj me u k’naq

Jan’ tu u nda
Vec për nji fjal’
Jan’ tu u nda
Dashnin’ kan’ vra
Jan’ tu u nda
E kan’ harru
Se kan’ nji shpi
Sofër me f’mij’

Duje!
Si dikur ti duje
At’ dashni ti ruje!
Si jeten ti duje!
Mos e gjuj me gure!
Si dikur ti duje
At’ dashni ti ruje
Sa jeten ti duje!

Jan’ tu u nda
Vec për nji fjal’
Jan’ tu u nda
Dashnin’ kan’ vra
Jan’ tu u nda
E kan’ harru
Se kan’ nji shpi
Sofër me f’mij’

Duje!
Si dikur ti duje
At’ dashni ti ruje!
Si jeten ti duje!
Mos e gjuj me gure!
Si dikur ti duje
At’ dashni ti ruje
Sa jeten ti duje!
(Duje , duje)
Jan’ tu u nda
(Duje, duje)
Vec për nji fjal’
Jan’ tu u nda
Dashnin’ kan’ vra
( Duje, duje)
Jan’ tu u nda
(Duje, duje)
E kan’ harru
Se kan’ nji shpi
Sofër me f’mij’
(Duje, duje)/Klan Kosova/KultPlus.com

Të ngjajshme