“Amadeus” ngre flamurin kulturor në Vjenë: Fëmijët shqiptarë mahnitin me muzikë dhe veshje tradicionale nga të gjitha krahinat e Kosovës

15 Korrik, 2025 - 2:54 pm



Orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘’Amadeus’’, ka ngritur lart identitetin shqiptar në një nga skenat më të rëndësishme ndërkombëtare në Vjenë, përmes një përformance unike ku muzika dhe trashëgimia kulturore janë ndërthurur në mënyrë autentike. Në qendër të këtij koncerti që mbledh orkestrat e reja nga e gjithë Evropa, ‘’Amadeus’’ jo vetëm që është shpërblyer me cmimin e argjendtë, kjo orkestër ka spikatur për talentin muzikor, por edhe për pamjen e jashtëzakonshme me veshjet tradicionale të realizuara me dorë nga kreatorja Tolinda Gojani Asani, shkruan KultPlus. 


Kjo është hera e parë që një orkestër fëmijësh nga Kosova paraqitet në një garë ndërkombëtare të nivelit të tillë, e veshur me kostume që përfaqësojnë të gjitha krahinat e vendit. Nga Dukagjini në Medvegjë, nga Rugova në Has e Gollak, çdo pjesëtar i orkestrës ka mbajtur mbi supe një fragment historie, të qëndisur me kujdes dhe dashuri përmes teknikave artizanale që po rrezikojnë të zhduken.
Të krijuara nga kreatorja dhe artizanja Tolinda Gojani Asani, veshjet janë realizuar për secilin instrumentist në mënyrë që të përfaqësojnë laramaninë kulturore dhe identitare të të gjitha krahinave të Kosovës. Kjo përzgjedhje e kujdesshme i ka dhënë koncertit jo vetëm një dimension artistik, por edhe një përmasë të thellë simbolike dhe historike.

Përfaqësimi i krahinave në këtë koncert është bërë si më poshtë:

Flauta – me veshjen e Medvegjës, që ruan motivet e lashta të kësaj krahine të lashtë shqiptare.

Klarineti – me veshje tradicionale shqiptare që përfaqëson motive të hasura në të gjitha trevat shqipfolëse.

Violina 1 – me veshjet e Dukagjinit, Rugovës, Anamoravës dhe Llapit, duke bashkuar elemente nga perëndimi dhe lindja e Kosovës.

Violina 2 – me veshjet e Dukagjinit, Hasit, Gollakut dhe Drenicës, që përçojnë një mozaik unik simbolesh dhe ngjyrash.

Violonçeli – me veshjen aristokratike të qytetit, që ruan finesën dhe elegancën e shtresave të mesme të shekujve të kaluar.

Perkusionet – vajzat kanë veshur kostume të Drenicës, ndërsa djali veshjen aristokratike të qytetit, duke reflektuar ekuilibrin mes ruralitetit dhe urbanitetit në traditën tonë.Piano, fizarmonika dhe kontrabasi – gjithashtu me veshje aristokratike të qytetit, që përfaqësojnë stilin klasik shqiptar të qyteteve si Prizreni, Gjakova e Peja.

Interpretimi i veprës ‘’Malësorja’’ nga kompozitori Lorenç Antoni ka marrë dimension të ri emocional, ndërkohë që publiku ndërkombëtar në Vjenë është bërë dëshmitar i një ringjalljeje të kulturës shqiptare përmes muzikës dhe veshjes. 

Veshjet janë konceptuar jo vetëm si dekor apo element skenik, por si pjesë e rrëfimit. Siç  thekson kreatorja Gojani Asani, çdo motiv, çdo fije ari apo grep i dorës është një formë komunikimi pa fjalë, një ‘’dorëshkrim i heshtur’’ që lidh brezat dhe ruan kujtimin kulturor në një kohë kur globalizmi rrezikon t’i minimizojë veçantitë lokale. 


Ky koncert ka dëshmuar se ruajtja e trashëgimisë kulturore nuk është një akt nostalgjik, por një mënyrë për të treguar se edhe popujt e vegjël kanë storie të mëdha për të ndarë me botën. ‘’Amadeus’’ nuk ka shkuar në Vjenë vetëm për të konkurruar, por për të përfaqësuar një popull, një histori dhe një trashëgimi që flet përmes artit./ KultPlus.com 

Të ngjajshme