займ на карту онлайн потребительский кредит

Ana Josimovska Cagnazzo dhe Antonio Cagnazzo sollën një mbrëmje pianistike në KamerFest

31 Tetor, 2019 - 2:14 pm

Qendrim Badalli

Orari dhe salla nuk ndryshuan, por kishte ndryshuar formacioni artistik që do të interpretonte në një tjetër mbrëmje të KamerFestit në Kosovë. Ora shënonte 20:20 minuta kur gjithçka ishte gati dhe publiku zuri vendin e tij në sallë, shkruan KultPlus.com

Në skenë dolën pianistja nga Maqedonia e Veriut, Ana Josimovska Cagnazzo, dhe pianisti nga Italia, Antonio Cagnazzo të cilët interpretuan vepra të ndryshme artistike nën duartrokitjet e vazhdueshme të publikut prezent. Që të dy artistët po ndiheshin mirë, ndjenja që do t’i shprehnin pas përfundimit të koncertit.

Pianistja nga Maqedonia e Veriut, Ana Josimovska Cagnazzo, në intervistën e saj është shprehur shume e kënaqur me pothuajse gjithçka që u zhvillua rreth koncertit.

“Ne kishim një koncert shumë të mirë. Për mua ishte kënaqësi që të luaja sonte në këtë festival. Sihana është një violiniste e mrekullueshme dhe një udhëheqëse artistike e mrekullueshme po ashtu, dhe unë jam e lumtur që ajo na ftoi neve. Ishte eksperiencë shumë e mirë dhe prezenca e njerëzve të rijnë që arrita ti shoh ishte diçka shumë e mirë gjithashtu”.

Tutje, pianistja nga fqinjët tanë maqedonas, duke folur për përshtypjet e saj për kulturën në përgjithësi në Kosovë, ajo nuk e ka parë si diçka të shkëputur nga bota tjetër, teksa ka shprehur zhgënjimin e saj për trajtimin e kulturës kudo.

“E kam një përshtypje se në gjithë botën dominon mendimi se kultura nuk është diçka e rëndësishme. Çdokush diskuton vetëm për ekonomi dhe para, kurse për kulturën dhe artin mendojnë se mund të bëjmë edhe pa to siç nuk është ashtu. Pjesa kryesore e shoqërisë e humanizmit është shprehja e natyrshmërisë njerëzore”.

Pianisti nga Italia, Antonio Cagnazzo, pasi vlerësoi organizimin, njëjtë si kolegia e tij, lavdëroi specifikisht punën e Sihana Badivukut, drejtoreshës dhe organizatores së këtij festivali.

“Mendoj se ju keni një organizim të madh dhe një hapësirë shumë të mirë po ashtu. Unë u kënaqa shumë dhe mendoj se ju e bëtë më të mirën me këtë organizim. Sihana është një organizatore shumë e mirë”.

Ai u përgjigj shkurt por në mënyrë përmbajtësore në pyetjet rreth gjendjes së kulturës në përgjithësi në Kosovë.

“Nëse çdo aktivitet kulturor në Kosovë organizohet si ky Festivali i KamerFestit, mendoj se ju jeni shumë në nivel”

Festivali Kosova Kamerfest 2019 do të vazhdojë edhe mbrëmjeve të tjera njëjtë siç do të vazhdojë edhe KultPlusi me mbulimin e të gjitha aktiviteteve të këtij festivali artistik brenda Kosovës, për kulturën dhe për lexuesit tanë. / KultPlus.com

Të ngjajshme