Artikujt e bendit “The Beatles” u shitën me sukses në një ankand online

13 Prill, 2020 - 12:15 pm

Shënimet e shkruara me nguti të ish anëtarit të grupit “The Beatles”, Paul McCartney, nga incizimi në studio i këngës “Hey Jude” në vitin 1968, janë shitur në shtëpinë e ankandeve “Julien” me çmim prej 910.000 dollarësh.

Fleta në të cilën muzikanti legjendar e kishte shkruar tekstin e këngës, gjatë kohës që po e incizonin atë në studio “Trident” në Londër, në korrik të vitit 1968, arriti të shitet për një shumë më të lartë se ajo që ishte parashikuar, prej 160.000 dollarësh, transmeton Koha.

Në mesin e 300 relikteve të bendit të famshëm botëror të cilat u shitën në ankandin e zhvilluar online, ishte edhe skena prej druri e një koncerti të vogël të “The Beatles” në Liverpool, ku bendi kishte performuar para se të bëheshin të famshëm anembanë botës. Ajo u shit në çmim prej 25.600 dollarëve.

Ndër artikujt e tjerë të vënë në ankand ishin, vizatimi i John Lennonit dhe Yoko Onos me titull “BAGISM”, një term ky të cilin çifti e kishte krijuar për të bërë shaka me stereotipat. Vizatimi në fjalë ishte përfshirë edhe në dokumentarin e tyre të vitit 1969, “Bed Peace”, ndërsa në ankand arriti të shitet për 93.750 dollarë.

Një daulle me logon e bendit “The Beatles” u shit për 200.000 dollarë, skenari i xhirimit të videoklipit të hitit “Hello Goodbye” arriti të shitet në çmim prej 85.000 dollarëve dhe taketukja të cilën Ringo Starr e kishte përdorur në studio “Abbey Road”, u shit në çmim prej 32.500 dollarësh. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme