Ayo ka një mesazh para se të elektrizojë Tiranën sonte

28 Qershor, 2018 - 7:38 pm

Ylli botëror i muzikës, Ayo ka mbërritur në Shqipëri pak pas mesnate. Këngëtarja e super hiteve si “WHO”, “Down on My Knees”, “Slow Slow” do të interpretojë te Amfiteatri i ri për të gjithë ata që duan ta ndjekin atë dhe padyshim me performancën e saj pritet të elektrizojë Tiranën.

Në një intervistë të dhënë gazetares Elda Lamja, për Gazetën Shqiptare, Ayo ka treguar impresionet e para të mbërritjes në Shqipëri. Ja se si shprehet ajo:

“Nuk kam parë shumë akoma, sepse kam mbërritur këtu në mesnatë për shkak të vonesës së fluturimit. U shtriva për të fjetur në orën 12:00 dhe u zgjova në orën 8:00 për shkak të zhurmës, sepse këtu po ndërtohet (qesh)”.

E pyetur nga gazetarja sesi arrin që të jetë njëkohësisht edhe nënë e përkushtuar e tre fëmijëve, por edhe këngëtare e suksesshme, Ayo u shpreh: “Nuk mund të them sesi, por arrij t’ia dal. Thjesht mund të them se po ja dal. Mendoj se gratë në përgjithësi, gjithmonë e gjejmë një mënyrë që të bëjmë atë që kemi për të bërë. Jo vetëm për ne, por për fëmijët tanë mbi të gjitha.

Ka shumë gra në botë që e bëjnë këtë çdo ditë, edhe në mënyrat më të vështirë. Kjo që unë bëj është e lehtë në krahasim me atë që bëjnë disa gra në kushte më të vështira”.

Teksa do të performojë mbrëmjen e sotme tek amfiteatri, e ka pyetur se çfarë pret nga publiku shqiptar, Ayo u përgjigj: “Gjyshi im nga ana e babait gjithmonë na thoshte shpesh që të mos krijomë pritshmëri, sepse vetëm kështu nuk mund të zhgënjehesh. Por kjo është e pamundur, sepse ne të gjithë kemi pritshmëri. Por, pritshmëritë e mia janë më shumë si dëshira. Shpresoj që të jetë shumë bukur dhe t’ia kalojmë mirë së bashku.

Mendoj se çfarë të japësh atë do marrësh, dhe kur luaj muzikë edhe sikur të jenë 3 persona përpiqem të jap maksimumin. Sepse sa herë që këndoj, e mendoj sikur të ishte hera e fundit”.

Pyetjes të gazetares Elda Lamja se ju keni lindur me muzikën apo ka qenë një inspirim dhe ju ka bërë të ndiqni këtë rrugëtim, këngëtarja u shpreh: “Jeta ka qenë inspirim për mua. Kur kam dhimbje muzika më bën të ndihem mirë, të këndoj më bën të ndihem më mirë. Fëmijëria ime ka qenë shumë e vështirë, kam qenë e ndarë nga prindërit dhe këngët që babai im i këndonte kur isha në shtëpi më krijonin ndjesinë e lidhjes me ata. Vetëm përmes muzikës. Kanë qenë kujtimet e mia më të bukura dhe përpiqesha t’i kujtoja vazhdimisht. Ka nisur fillimisht me të dëgjuarit muzikë dhe më pas kur nisa të këndoj vetë më bënte të ndihesha edhe më mirë”.

Para kësaj interviste, këngëtarja me famë botërore Ayo, teksa ka zbritur në aeroport ka dhënë një mesazh për të gjithë fansat në Shqipëri dhe e ka shpërndarë në rrjetin social. “Unë jam këtu, jam në Tiranë. Jam shumë e lumtur. Shpresoj t’ja kalojmë bukur sonte”.

Të ngjajshme