Banda “Afërdita” e Elbasanit, 113 vjet histori

2 Maj, 2021 - 11:14 pm

Më 2 maj 1908 një grup atdhetarësh formuan në Elbasan shoqërinë “Afërdita”, e cila krijoi edhe grupin e bandës së qytetit, ndërsa kish synim të ngrinte një palestër sportive, dhe të merrej me botimin e librave shkollorë.

Shoqata e cila pati mjaft rëndësi kulturore kremton këtë vit 113-vjetorin e themelimit.

“Kjo shoqëri ka për qëllim të përhapunit e dashurisë, vllaznisë e njisisë ndërmjet vendësve të qytetit e fshatrave rreth, që të marrin rrugën e qytetërimit”, thuhet në rregulloren e themelimit të saj.

Nga drejtuesit e saj përmendim patriotët dhe intelektualët si Lef Nosi, Fot Papajani, Dhimitër Papajani, Petër Dodbiba, Hysen Ceka, Myrteza Demeti e të tjerë. Ajo dha një ndihmesë të veçantë në realizimin e Kongresit të Elbasanit, me hapjen e Shkollës Normale për përhapjen e gjuhës shqipe etj.

Që në dokumentin e saj themelues gjejmë vendimin për ngritjen e bandës muzikore “Afërdita”, dhe jehona e tij shkoi shumë larg në qarqet patriotike,.

Sot në Muzeun e qytetit të Elbasanit ruhet një numër i gazetës Dielli i datës 13 gusht 1909 që botohej në SHBA. Në të shkruhej: Ska shumë kohë që u ngrej këtu një badë buzikore me emrin “Afërdita” ka më shumë se nji qind antarë… qëllimi i kësaj bande nuk është të përhape muzikën…”/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme