Beethoven do të kujtohet vetëm me një ngjarje në 250-vjetorin e lindjes

26 Gusht, 2020 - 9:00 am

Pandemia ka goditur me gjithë fuqinë “Beethovenfestin” në Bonn dhe shumica e ngjarjeve janë shtyrë për vitin 2021. Nga programi i gjatë, që ishte planifikuar për të nderuar Ludwig van Beethovenin për 250-vjetorin e lindjes së tij, vetëm një projekt do të mbahet: “Bauprobe Beethoven,” apo “Beethoven, A Scenographic Mock-Up”.

Në këtë “inspektim teatral të vendit”, grupi i artistëve nga Berlini “Rimini Protokoll” planifikon që të mbushë hapësirën e madhe në “Beethovenhalle” në Bonn, e që është në rinovim.

“Asnjë notë e vetme nuk do të dëgjohet në ‘Beethovenhalle’ në Bonn gjatë këtij jubileu të Beethovenit”, kanë thënë artistët e ndërtesës, e cila u hap në vitin 1959, e që thonë se simbolizon Gjermaninë e pasluftës “historinë e rilindjes, lavdisë dhe pasurisë, por edhe atë të neglizhencës, grindjes dhe humbjes së kuptimit”.

“Rimini Protokoll”, i themeluar në vitin 2000 nga Daniel Wetzel, Helgard Haug dhe Stefan Kaegi, organizon punime skenike, ndërhyrje e performanca dhe audioshfaqje përkrah “ekspertëve” të përditshëm, të cilët kanë fituar njohuritë dhe aftësitë e tyre përtej teatrit. Ndër shfaqjet e tyre ishte “Konferenca Botërore e Klimës”, një tallje që përkonte me Samitin e klimës në Paris, në vitin 2015.

Ndërhyrja më e fundit e kolektivit do të ndodhë në punishten në “Beethovenhalle”, më 12 dhe 13 shtator, pasi grupe të vogla (maksimum 15 persona për shkak të kufizimeve të koronavirusit) do të bëjnë inspektime skenike gjatë mëngjesit dhe pasdites. Udhëheqës do të jenë të ashtuquajturit “ekspertë të përditshmërisë”, që përfshijnë aktorë amatorë dhe njerëz, puna dhe jeta e të cilëve është goxha e lidhur me “Beethovenhalle”.

“Pas një hulumtimi të gjatë, ne kemi gjetur 10 njerëz të cilët kanë një lidhje interesante biologjike apo intelektuale, që lidhet me ‘Beethovenhalle’”, ka thënë Helgard Haug nga “Rimini Protokoll” për DW.

Në mesin e tyre ishte shefi i protokollit që mbikëqyri vizitat e katër ish-presidentëve gjermanë në “Beethovenhalle”, një ish-kryetar, një historian arti, muzikant dhe drejtues teknikë që u kujdesën për hapësirën për katër dekada. Një njeri i cili në vitin 1983 ishte dënuar për zjarrvënie të qëllimshme të hapësirës dhe “Pretzel Womam” një legjendë e Bonnit, e cila është kujdesur për mirëqenien e vizitorëve të koncertit do të jenë po ashtu pjesë e turneut – dhe do të tregojnë sekretet e tyre për të krijuar një histori të veçantë rreth hapësirës.

Një simbol i vjetër i Republikës Federale të Gjermanisë në ish-kryeqytetin Boon, një mosmarrëveshje e gjatë në lidhje me të ardhmen e sallës moderniste, përfundoi me një marrëveshje rinovimi për 166 milionë euro. Pasi që rinovimi nuk do të përfundojë para vitit 2024, “Beethovenfest” në Bonn e humbi hapësirën më të rëndësishme. Tani, në mënyrë ironike, aty do të zhvillohet e vetmja ngjarje në qytet dedikuar manifestimit të madh.

“’Beethovenhalle’ ishte diçka si një elefant ngjyrë rozë në dhomë”, ka thënë menaxheri i projektit “Beethovenfest”, Thomas Scheider, për vendimin për të ftuar “Rimini Protokoll” për të përdorur hapësirën ikonike.

“I vetmi vend ku nuk ishte menduar që të mbahet ndonjë performancë për të shënuar përvjetorin, tani është i vetmi vend i mbetur”, ka shtuar ai. Ka treguar se hapësira ishte një vend me rëndësi për mbledhje private dhe publike, si dhe për ngjarje politike e kulturore.

“Por është edhe një metaforë e të kujtuarit dhe sesi të mbajmë gjallë kujtimet”. Sigurisht, muzika ka vend kryesor në çdo ngjarje të “Beethovenfest” dhe kompozitorit amerikan që vepron në Berlin, Ari Benjamin Meyers, i ishte kërkuar që të shkruante një vepër për këtë ngjarje në “Beethovenhalle”.

Inspiruar nga vepra e fundit e Beethovenit “Great Fugue”, Meyers ka krijuar një vepër e cila u interpretua nga “Asasello Quartet”, që do të dëgjohet gjersa audienca kalon nga një ekspert tek tjetri. Meyers e ka përshkruar Beethovvenin në një intervistë për DW si “si kompozitorin e parë bashkëkohor”. Publiku potencial duhet të dijë se një helmetë dhe jelek sigurie do t’u jepen nga organizatorët, ndërsa kërkohet të kenë me vete këpucë të forta dhe që të jenë veshhapur. / KultPlus.com

Të ngjajshme