22 Korrik, 2025 - 9:31 pm
Në mjediset e Katedrales “Shën Luçia” në Durrës, u zhvillua koncerti përmbyllës i Festivalit të XX Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës në Durrës një ngjarje kulturore, e cila prej dy dekadash sjell në skenë emra të njohur të muzikës klasike shqiptare dhe ndërkombëtare.
Publiku u përshëndet me një performancë të nivelit të lartë artistik nga kuarteti i përbërë nga Nevila Kalaja në violinë, Amir Xhakoviq në piano, Besnik Yzeiri në violë dhe Gjorgj Kroqi në violonçel. Repertori i përzgjedhur solli një përjetim emocional dhe artistik të rrallë, duke u duartrokitur gjatë nga të pranishmit.
Violinistja dhe njëkohësisht drejtoresha artistike e festivalit, Nevila Kalaja, u shpreh se ky edicion jubilar ishte një sukses i plotë dhe ne jemi shumë të kënaqur që edicioni i XX i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës i përmbushi plotësisht pritshmëritë tona, si në aspektin artistik, ashtu edhe në atë organizativ.
“Vitet që kanë kaluar kanë konsoliduar njëri pas tjetrit këtë aktivitet”, u shpreh violinistja Kalaja.
Ky festival, që tashmë është bërë pjesë e pandarë e kalendarit kulturor të qytetit bregdetar, vazhdon të kontribuojë në promovimin e vlerave artistike dhe në nxitjen e bashkëpunimeve ndërkombëtare në fushën e muzikës klasike./rtsh/ KultPlus.com