Drilon Çoçaj dhe Nina Shala, dyshja që solli magjinë e melodive spanjolle në ‘DAM Fest’

28 Qershor, 2022 - 7:00 pm

Një rrjedhë krejtësisht e butë e vijave melodike erdhi mbrëmë nga mbizotërimi magjik i teknikës së kitaristit Drilon Çoçaj që në ndërlidhje të veçantë me flautisten Nina Shala mbështjellën natën e tretë të festivalit DAM nëpër melodi e tinguj që shoqëroheshin gjatë tërë kohës me elemente të ndryshme muzikore, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje e Festivalit Dam u mbajt kësaj here në Amifteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke mbledhur kështu një numër të konsiderueshëm të artdashësve dhe jo vetëm. Në anën tjetër, skena ishte ajo që i dha një hijeshi tjetër melodive klasike. Duke filluar nga perdet në ngjyrë të zezë, pesë reflektorët në ngjyrë të kaltër të vendosur në prapavijë si dhe tri reflektorët në ngjyrë të ngrohtë anash hapësirës, u vë në pah edhe më shumë interpretimi i dy instrumentistëve, të cilët duart e gishtërinjtë e tyre u kanë qëndruar besnik një programi të tërë përgjatë pothuajse një ore.

Ishin pikërisht duartrokitjet nga publiku, ato që mirëpritën në skenë të dy instrumentistët të cilët pas pak çastesh do të sillnin momente të paharruara për gjithsecilin, për të shënuar kështu një natë të mbushur me melodi kryesisht spanjolle.

Kitaristi Drilon Çoçaj dhe flautistja Nina Shala nisën rrjedhën e shpalosjes së dhuntisë të tyre që pikënisjen e kishte përbrenda veprës “Caffe 1930” nga kompozitori Astor Piazzolla. Ashtu si dukja e tyre, thjeshtësia dhe eleganca po përhapeshin edhe nga tingujt që pasonin nga instrumentet që ata të dy po mbanin para vetes. Kështu krijohej një atmosferë tejet e ngrohtë dhe njëkohësisht edhe e qetë, që lehtazi u përcoll edhe me interpretimin e veprave të kompozitorëve të tjerë të njohur si: Fernando Sor, Enrique Granados, Stanley Mayes, A.B. Mangore, Johann S.Bach dhe Manuel De Falla.

Ndërkohë vepra me titull “Kur më vjen burri nga stani” nga Tefta Tashko, ishte ëmbëlsia që pushtoi atmosferën vetëm për pak momente. Ndonëse e shkurtër në interpretim, vepra arriti të krijojë një magji të vetën që magjepsi pothuajse të gjithë të pranishmit. Me buzëqeshje në fytyrat e secilit dhe vëmendjen e tyre drejt skenës, vepra u përndjek nga emocione të shumta nga çasti në çast.  

Po ashtu, vepra tjetër si “Julia Florida” nga A.B. Mangore, erdhi nën interpretimin solo të kitaristit Drilon Çoçaj. Dinamika e butë e notave, shpejtësia e gishtërinjve, luhatjet krejt të vogla të trupit, mbyllja e syve në një përhumbje të domosdoshme si dhe ritmi që nuk njihte fund, ishin ato që karakterizuan këtë performancë të Çoçajt, me ç’rast publiku u dërgua në një botë ku kitara po mbizotëronte tërë qenien e njeriut.

“Mouvement de preire religieuse”, “Danza espanola nr.5”, “Cavatina”, “Sarabande – BWV 1002” dhe “Siete canciones populares espanolas”, ishin veprat e tjera në program që dëshmuan për një ndërlidhje të mahnitshme të kitarës dhe flautit. Edhe pse në kontraste të dukshme, meloditë që pasuan përgjatë gjithë kësaj mbrëmjeje, krijuan një natë hyjnore të melodive spanjolle që nuk u karakterizuan nga ritmi total i shpejtë por nga një ritëm i pasionuar që kaploi gjithë sytë dhe trupin e çdo kujt. Dëshira dhe pasioni për të parë e dëgjuar këtë dyshe ishte i dukshëm qysh nga fillimi e deri në fund të koncertit, kjo pasi që vetë prezenca e dy instrumentistëve ka dëshmuar për veçantinë e tyre si artistë.

Kështu krejt në fund, ishte publiku ai që pas gjithsej shtatë këngëve popullore spanjolle, ka duartrokitur, brohoritur dhe vlerësuar lartë punën unike të dy artistëve që e sollën mbrëmë në skenë në një mënyrë të mrekullueshme.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe emocioneve pas tij, për KultPlus foli kitaristi Drilon Çoçaj.

“Ne e sollëm këtë program për shkak se programi kryesisht është një program që i përshtatet shumë instrumentit të kitarës edhe gjithmonë kur bëhet një kombinim me flaut, del shumë bukur sepse në këtë program ka pasur edhe valle dhe këngë spanjolle në të cilat flauti mundet shumë bukur t’i këndojë ato. Në fakt, kjo është hera e parë që unë bashkëpunoj me Ninën si dhe në përgjithësi ky është koncerti im i parë në jetën time që bashkëpunoj në një duet sepse kryesisht kam luajtur vetëm solo, andaj dhe për mua ishte një eksperiencë shumë interesante. Kur bashkëpunon me dikë i sheh me të vërtetë edhe të metat e tua”, thotë Çoçaj.

Gjithashtu flautistja Nina Shala për KultPlus potencoi idenë e saj rreth përzgjedhjes së programit.

“Programi ka qenë kryesisht muzikë spanjolle. Në fillim kemi luajtur Piazzollen, pastaj kemi pasur një valle spanjolle si dhe po ashtu kemi sjellë edhe shtatë këngë spanjolle të cilat janë të shkruara për vokal dhe kitarë, por e kemi gjetur të shkruar për kitarë dhe flaut. Programin e kemi zgjedhur bashkërisht dhe kemi dashur që të jetë diçka më interesant për publikun”, thotë Shala.

Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 03 korrik ku publiku do të ketë mundësi të shijojë e përjetojë koncerte të artistëve të shkëlqyer nga vendi dhe Ballkani. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme