Të gjithë instrumentistët e tunxhit në vend përmbyllën mbrëmë festivalin “Kosova Brass”

19 Dhjetor, 2017 - 1:35 pm

Mbrëmë Festivali “Kosova Brass”, solli edhe koncertin përmbyllës të edicionit të tij të dytë ndërsa në këtë mbrëmje në skenë ishte ngjitur orkestra e këtij festivali e dirigjuar nga dirigjenti amerikan, Gregory Jones, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Në këtë koncert poashtu me orkestrën para saj interpretuan edhe organizatori dhe trumpetisti kosovar, Avni Krasniqi kurse tinguj nga instrumenti i kornos i solli Bledar Bujupi.

Orkestra kishte mbledhur të gjithë instrumentistët e tunxhit në vend, të cilët kishin zënë vendet e tyre brenda Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare. Kur atyre u vihet përballë dirigjenti Gregory Jones, salla rrëmbehet nga tingujt e këtyre instrumentistëve, disa të rinj e disa më profesionist në këtë instrument.

Përtej kënaqësisë së dëgjuarit këto vepra, interpretimi i tyre depërtonte thellë tek publiku, pasi që, secilës vepër i paraprinte shpjegimi i tyre nga dirigjenti amerikan Jones. Kur ai erdhi tek vepra Afagio “Concerto de Aranjuz”, dukej sikur bëri një kthesë emocionale tek të gjithë të pranishmit derisa shpjegoi se kompozitori i kësaj vepre Rodrigo, kishte qenë i verbër derisa gruaja e tij kishte qenë e sëmurë në spital, ai pasi që nuk mund ta shihte, shpesh nuk e dinte nëse ajo është e gjallë, dhe kështu ai e vendoste veshin e tij tek zemra e saj e cila rrihte ngadalë, dhe pikërisht me këtë ritëm nisi edhe kjo vepër e cila më pas vazhdoi me tinguj më të shpeshtuar.

Ky dirigjent në Kosovë kthehet pas shumë vitesh, ndërsa ndihet i lumtur që këtë vend e gjen më të zhvilluar. Ai tregon se kur i kishte takuar fillimisht organizatorët e këtij festivali, ata kishin qenë shumë të vegjël dhe sot thotë se ndihet i mahnitur nga suksesi i tyre dhe nga mënyra se si ata punojnë me studentët.

“Ata me të vërtetë kujdesen për studentët e tyre, kemi pasur prova të dielën në mëngjes dhe të gjithë ishin aty, dhe kur ne i përfundonim provat studentët nuk largoheshin menjëherë por vazhdonin të flisnin me profesorët e tyre, kjo do të thotë se profesorët janë të mrekullueshëm”, ishin fjalët e dirigjentit amerikan Gregory Jones i cili tha se kur është në Amerikë, ai sikur bën marketing për Kosovën dhe Shqipërinë dhe se do të kthehet në mundësinë e parë.

Në një bisedë të shkurtër për KultPlus, ai theksoi se ka qenë shumë kërkues ndaj studentëve ndërsa ishte mahnitur me entuziazmin e tyre, derisa shton se ata i kapnin gjërat shumë lehtë.

“Studentët erdhën çdo ditë, ishin shumë të interesuar, ata ndryshonin pjesët kur unë u thosha kurse gjëja më e mirë në këtë ansambël është se fillon të ndihesh sikur jeni një familje e madhe”, tha dirigjenti Jones, i cili tregoi se atij nuk i ndodh shumë shpesh të has në studentë kaq të disiplinuar.

Organizatori i këtij festivali Avni Krasniqi, tha për KultPlus se përkundër vështirësive që kanë hasur, thotë se ndihet i kënaqur me ecurinë e festivalit.

“Vështirësia e parë në organizimin e këtij koncerti është buxheti modest, edhe pse ka shumë vështirësi, si të dytën mund ta rangoj sallën pasi që ka qenë shumë sfidues fakti që në sallë nuk ka pasur nxemje dhe është dashur te gjesh mënyra alternative që ta ngrohesh sallën”, tregoi trumpetisti Krasniqi, i cili tutje tregoi se e sheh si shumë të suksesshëm bashkëpunimin që erdhi mbrëmë midis Kosovës dhe Amerikës, dhe që mbrëmja dhe i gjithë koncerti i ka i ka arritur pritshmëritë e tij, kurse veçantia e kësaj mbrëmje sipas tij qëndron në faktin se janë ngjitur në skenë të gjithë instrumentistët e tunxhit në vend, lidhur me këtë ai tregoi se ndihet i lumtur që Kosova ka arritur t’i plotësoj nevojat e orkestrës, pasi që vetëm para pesë viteve instrumentistët e tunxhit duhej të importoheshin nga jashtë.

“Tashmë dihet që instrumentistët e tunxhit janë shumë të rinj, disa që interpretuan sonte ishin studentë, disa kanë mbaruar studimet kurse sonte së bashku me ta interpretuan dhe pedagogë të tunxhit dhe kjo mendoj që është veçantia e kësaj mbrëmje, sidomos puna me profesorin Gregory Jones, i cili ka ardhur enkas për ta përgatitur këtë program dhe mendoj se me këtë koncert festivali e ka përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha për fund organizatori i këtij festivali Avni Krasniqi.

Ky festival i cili ka filluar në fund të muajit të kaluar, ka arritur të sjellë instrumentistë të njohur nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Republika Çeke dhe Amerika, në mesin e tyre është dhe trumpetistin me renome botërore, gjermanin OttoSauter i cili javën e kaluar interpretoi me Piccolo Trumpetë, i shoqëruar nga kuarteti i harqeve i udhëhequr nga violinisti kosovar Visar Kuçi.

Poashtu edhe këtë vit, festivali u ka kushtuar rëndësi të veçantë studentëve dhe nxënësve të tunxhit në vend, pasi që gjatë gjithë kohës janë mbajtur masterklase për studentët me pjesëmarrës të festivalit./ KultPlus.com

Të ngjajshme