Dua Lipa me rikthim triumfal në Prishtinë, Sunny Hill nis rrugëtimin me koncert të përmasave botërore

2 Gusht, 2025 - 6:02 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e kaluar, Prishtina u kthye në qendrën e muzikës ndërkombëtare, teksa filloi festivali i shumëpritur Sunny Hill Festival, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon. Në një atmosferë elektrizuese, skena i takoi rikthimit të këngëtares që ka bërë krenare çdo shqiptar nëpër botë, Dua Lipa, shkruan KultPlus.

Qyteti u përfshi nga një valë emocionesh dhe pritjeje. Radhë të gjata makinash dhe turma të mëdha njerëzish që lëviznin drejt vendit të ngjarjes, dëshmonin se ky ishte më shumë se një koncert, ishte një kthim në shtëpi, një festë kombëtare. Me mijëra duar në ajër dhe me zemra që rrihnin në të njëjtin ritëm, publiku e priti me padurim yllin shqiptar me famë botërore.

Prej orës 17:00, skena e Sunny Hill Festival u bë vatër e një parade artistësh të njohur dhe të dashur për publikun. Performanca të fuqishme dhe shumëngjyrëshe u sollën nga emra si Deezy, Art Lokaj & TNM, Kida, Sienna Spiro, Edis dhe Tayna,  të cilët krijuan imazh të zjarrtë për atë që do të vinte më pas, hyrja triumfale e Dua Lipës, yllit që ka bërë krenar çdo shqiptar nëpër botë.

Dua Lipa e nisi koncertin me këngën ‘Training Season’, duke e ndezur atmosferën me një performancë madhështore dhe skenografi unike. Koncerti vazhdoi njëtrajtshëm me ‘End of an Era’, ‘Break My Heart’, ‘One Kiss’, ‘Watcha Doing’, ‘Levitating’ dhe  ‘These Walls’.

Pas këtyre performancave erdhi edhe momenti kulminant i mbrëmjes, ku Dua Lipa ftoi në skenë babain e saj, Dukagjin Lipën, solistin e grupit të njohur ‘Oda’ dhe bashkëthemelues i festivalit. Dy breza, dy gjenerata artistësh, u bashkuan në një interpretim të veçantë të këngës ‘Era’ nga grupi legjendar ‘Gjurmët’. Ky moment bashkoi edhe publikun, ku së bashku kënduan të gjithë njëzëri.

Pas këtij momenti, Dua Lipa u rikthye sërish me hitet e tjera ‘Maria’, ‘Physical’, ‘Hallucinate’ ,’Falling Forever’, ‘Happy for You’ dhe ‘Love Again’. Me ‘Be the One’, u rikthye në një nga sukseset e para që e prezantuan Dua Lipën me skenën botërore, duke krijuar një moment të ndjeshëm dhe nostalgjik.

Ky koncert, ndryshe siç do të mund të ishte rëndom koncerti i ndonjë nga yjeve të tjerë botërorë në Prishtinë, erdhi shumë më ndjeshëm për këtë publik, marrë parasysh lidhjen që ka me yllin Lipa. Kohë pas kohe ndër performance, Lipa u fliste publikut të saj në gjuhën shqipe.

Në një moment ajo falëndëron të gjithë për pjesëmarjen, teksa edhe flet për festivalin.

‘Është kënaqësi me pasë mundësi me kriju një festival, për vendin tonë. Tash janë bërë gjashtë edicione të këtij festivali, e çdo vit po bëhet mirë e më mirë’, tha Lipa teksa falënderoi të gjithë ata që e bëjnë të mundur realizimin e këtij festivali.

Spektakli dhe madhështia e këtij koncerti vijoi me super-hitet ‘New Rules’, ‘Dance the Night’ dhe ‘Don’t Start Now’, performance këto që ndezën skenën dhe bënë që publiku të këndojë e të vallëzojë pa pushim.

Ndërkaq, ky koncert përfundoi me ‘Houdini’, një fund magjik për një natë të paharrueshme, që shënoi rikthimin e yllit Dua Lipa në skenën e Prishtinës.

Ndërkaq sot, publiku i Sunny Hill do të ketë mundësinë të dëgjojë perfancën e Deezy, Yanina, Lluni, Era Istrefi, Sainte, Pint, Ledri dhe Headie One. Ndërkaq,  ylli kryesor i mbrëmjes do të jetë këngëtaro Shaën Mendes./KultPlus.com

Të ngjajshme