Dua Lipa publikon versionin e ri të “Cold Heart” (VIDEO)

10 Shtator, 2021 - 5:00 pm

Dua Lipa ka vazhduar me publikimin e projekteve të reja dhe këtë herë artistja ka lansuar versionin ‘remix’ të këngës “Cold Heart”.

Në versionin origjinal, Dua ka bashkëpunuar me legjendën e muzikës, Elton John, ndërsa tani kënga është realizuar ‘remix’ nga DJ e njohur amerikane, The Blessed Madonna.

Treshja e famshme e artistëve kanë publikuar këngën vetëm në versionin audio, ndërsa The Blessed Madonna është shprehur e lumtur për këtë bashkëpunim.

“Ashtu si pothuajse të gjithë në planet, unë mahnitem nga Elton John dhe Dua Lipa. Ishte një nder kaq i madh të më kërkohej të isha pjesë e bashkëpunimit të tyre, i cili është një projekt kaq i bukur. Menjëherë më pëlqeu kënga dhe u përpoqa shumë për ta bërë atë mirë. Nuk është gjë tjetër veçse gëzim i madh të jesh në orbitën e këtyre ikonave dhe zemrave të tyre të mëdha e të ngrohta të bukura. Unë i vlerësoj të gjithë ju që do ta dëgjoni”, është shprehur The Blessed Madonna.

Kjo nuk është hera e parë që Dua bashkëpunon me The Blessed Madonna, dy muzikantet më parë kanë realizuar edhe versionin ‘remix’ të këngës “Levitating”, bashkë me Missy Elliott dhe Madonna.

Në anën tjetër artistja shqiptare së fundi ka realizuar një tjetër kampanjë për markën e njohur “Versace”, ku u shfaq me flokë të gjata me ngjyrë të kuqe, ndërsa falënderoi Donatella Versace që ia besoi promovimin e koleksionit të ri. / KultPlus.com

(Photo by Ryan Pierse/Getty Images)

Të fundit

Të ngjajshme