Dua Lipa u nderua me një çmim në ceremoninë “MTV Video Music Award 2020”

31 Gusht, 2020 - 9:44 am

Ylli i muzikës, Lady Gaga ishte fituesja e madhe e ceremonisë së sivjetme “MTV VMAs 2020” e cila u mbajt të dielën mbrëma, duke i fituar gjithsej pesë trofe.

Tri prej këtyre çmimeve, Gaga i ndau me pop ylin Ariana Grande për bashkëpunimin e tyre të suksesshëm, “Rain On Me”, transmeton Koha. Kënga arriti të triumfojë në kategori të tilla si: “Kënga më e mirë e vitit”, “Bashkëpunimi më i mirë” dhe “Kinematografia më e mirë”.

Dy këngëtaret e famshme amerikane po ashtu e performuan live hitin e tyre, për herë të parë në ceremoninë shpërblyese e cila arriti t’i respektoj të gjitha rregullat e distancimit social.

Lady Gaga gjithashtu i fitoi çmimet “Artistja më e mirë e vitit” dhe çmimin special i cili u nda për herë të parë në historinë e kësaj ceremonie, “Tricon Award” që e nderon artin e saj dhe angazhimet e fushën e bamirësisë.

“BTS” i fitoi katër shpërblime gjatë mbrëmjes, “Grupi më i mirë”, “Kënga më e mirë pop”, “Best K-pop” dhe “Koreografia më e mirë” për hitin e tyre “On”. Grupi i njohur nga Korea Jugore po ashtu e solli një perfomancë live të këngës së tyre më të re me titull, “Dynamite”.

Çmimi “Videoklipi më i mirë i vitit” shkoi për këngëtarin The Weeknd dhe hitin e tij “Blinding Lights”. Gjatë mbrëmjes ai po ashtu u nderua me çmimin “Kënga më e mirë R&B”. Këngëtari i shfrytëzoi te dyja fjalimet e tij për të bërë thirrje për drejtësi, për rastet e vrasjes së Jacob Blakeut dhe Breonna Taylorit.

Ndër fituesit e tjerë të mbrëmjes ishin edhe, Dua Lipa e cila u nderua në kategorinë “Kënga më efektet më të mira vizuale”, për hitin e saj të padiskutueshëm “Physical”, Miley Cyrus triumfoi në dy kategori, Taylor Swift, Megan Thee Stallion, Doja Cat, Maluma, J Balvin dhe të tjerë.

Ceremonia e cila fillimisht ishte planifikuar të mbahej në qendrën “Barclays” në Brooklyn, por ishte zhvendosur në disa lokacione në ambient të hapur për shkak të pandemisë së koronavirusit, u drejtua nga aktorja dhe këngëtarja Keke Palmer. Prezantuesja e hapi shoun me një fjalim që e nderoi aktorin e ndjerë të filmit “Black Panther”, Chadwick Boseman, i cili vdiq të premten më 28 gusht pas një beteje katër vjeçare me kancerin. / KultPlus.com

Të ngjajshme