Dumoshi për Avni Mulën: Artist i përmasave botërore por që vendit të tij të vogël i fali veprën e madhe muzikore

30 Tetor, 2020 - 9:05 am

Ka ndërruar jetë mbrëmë kompozitori dhe baritoni i mirënjohur shqiptar, Avni Mula.

Lajmi u bë i ditur nga vajza e kompozitori, sopranoja e njohur Inva Mula, e cila përmes një statusi në rrjetin social Facebook njoftoi për vdekjen e të atit, duke iu referuar: Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Përjetësisë.

Për vdekjen e kompozitorit, sot ka shprehur ngushëllime edhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.

Dumoshi e vlerëson lart artistin Mula dhe krijimtarinë e tij që sipas saj me dekada me radhë ka sjellë vepra të mëdha që do ti rezistojnë kohës e stileve.

 “Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Avni Mulës, babait e familjarit tuaj dhe artistit tonë të madh. Artisti i popullit e Nderi i Kombit Avni Mula qe tenor, mësues e pedagog, qe artist i përmasave botërore por që vendit të tij të vogël i fali veprën e madhe muzikore e cila do t’i rezistojë kohës e stileve”, shkruan Dumoshi e cila tutje shprehet se baritoni dhe kompozitori i njohur Avni Mula do të vlerësohet dhe nderohet për krijimtarinë e tij që me dekada me radhë ka sjellë jo vetëm në skenën operistike, por dhe në atë të këngës në festivale të ndryshme.

“Mjeshtri i madh Avni Mula ndërtoi pjesën më të madhe të jetës së tij artistike në Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë por gjurma e tij muzikale do të mbesë e paprekur dhe përgjithmonë e nderuar kudo ku ka shqiptarë. Gjetsh dritën e përtejme në Valsin e Përjetësisë mjeshtër i madh!”. / KultPlus.com

Të ngjajshme