Duo-grupi ‘Oborri’ paralajmëron albumin debutues

24 Gusht, 2017 - 5:17 pm

Duo-grupi nga Prishtina “Oborri” ka paralajmëruar lansimin e albumit të tyre të parë.

Dyshja e përbërë nga Tomor Kuçi dhe Arbër Salihu kanë punuar përgjatë dy viteve të fundit për t’i realizuar 14 këngë origjinale që do të jenë pjesë e këtij albumi. I vetë-titulluar “Oborri”, ky album përmban një shtegtim të guximshëm nëpër zhanre të ndryshme muzikore, nga roku, nëpër hip-hop, muzikë psikodelike, rege, e deri tek muzika folklorike.

Ky album shënon një lansim të rrallë të muzikës origjinale në gjuhën shqipe në Kosovë. Këngët janë të komponuara dhe të shkruara nga vetë Kuçi e Salihu, përveç njërës nga këngëve, “Karrigat” të cilën e kanë komponuar grupi legjendar “Gjurmët”.

Deri tani, grupi ka lansuar tri këngë, “Tash njejtë pi ujë”, “Alfabeti ecën vetë” dhe “Karrigat”, ndërsa në shtator pritet të lansohet edhe videoklipi i katërt nga ky album.

Albumi promovohet të mërkurën me 30 gusht në kafe-librarinë Dit’ e Nat’. / KultPlus.com

Të ngjajshme