“E di fort mirë se nuk do t’shkruaj rima, kjo penë që pahir më ka mbetur në dorë” (VIDEO)

17 Janar, 2021 - 11:50 pm

Ata të cilët arrijnë t’i rezistojnë pluhurit të kohës janë artistët e vërtetë, që kanë një stil të veçantë dhe shprehësi të thellë. I tillë ka qenë edhe Jusuf Gërvalla, këngët e të cilët kanë vlerë të lartë artistike, shkruan KultPlus.

Përveç që ka arritur të lë gjurmë me tekstet e tij, Gërvalla hyri në histori edhe me muzikën e veçantë, e cila ishte një përzierje mes klasikes dhe muzikës të lehtë.

Një këngë tejet e njohur e tij, e që edhe albumit ia ka falur po këtë emër është kënga “Njeri ku je”, të cilën e sjell bashkë me vëllaun e tij, Bardhosh Gërvalla.

KultPlus ua sjell tekstin dhe këngën “Njeri ku je”:

Njeri ku je

E di fort mirë, se nuk do t’shkruaj rima,

kjo penë që pahir m’ka mbetur n’dorë,

shërbëtorët e djallit s’mund t’i quaj dasmorë,

bonjakë do t’mbesin vargjet, do t’i marrë fryma.

Sa m’përket mua pra, le të rrënohet,

Piramida e Keopsit,

le t’i ndërrojnë vendet Parisi e Moska,

le të vjellë plot vrer po desh Vezuvi.

Le t’u bjerë pluhuri ligjeve të Njutn-it,

Lizës s’DaVinçit le t’i zbresë çmimi,

Me simfoninë e nëntë të Bethoven-it,

le t’merren xhelatët në gijotina.

E në pallate të larta t’kulturës,

le t’bredhin qentë, mos e teprova,

n’ekuator le t’rrëshqasë Antarktiku,

brenda një nate le t’bashkohet Berlini.

Sikur për s’dyti të lindej Sokrati,

do t’ia besonim një kope derrash,

i zhgënjyer do të ngiste pas qejfesh e shqerrash,

e dimë sa fort i donte i ngrati.

Pas tij Diogjeni me fener në dorë,

do të shëtiste duke reviduar,

mos emisionet propagandisktike,

të dobëta sallamat i kanë ekspozuar. / KultPlus.com

Të ngjajshme