11 Korrik, 2025 - 5:43 pm
Në qytetin e Korçës ka nisur edicioni i 8-të i MIK Festival, një nga ngjarjet më të rëndësishme të verës që sjell bashkë më shumë se 100 artistë nga vende të ndryshme të botës. Pianistë, orkestrantë, këngëtarë operistikë, balerinë dhe instrumentistë të njohur janë pjesë e këtij festivali që do të zgjasë katër ditë dhe që ka si thelb bashkimin përmes muzikës.
Koncerti hapës i festivalit solli një bashkëpunim të veçantë mes artistëve shqiptarë dhe atyre nga Kina, duke shënuar një moment të rrallë ndërkulturor në skenën shqiptare.
Kompozitori i njohur Genc Tukiçi u shpreh se ishte i nderuar të rikthehej në Korçë, të cilën e quajti “djepi i kulturës shqiptare”. Ai theksoi se muzika është gjuha universale që tejkalon kufijtë dhe i bashkon njerëzit, duke përmendur emocionin e interpretimit të përbashkët të muzikës kineze dhe shqiptare në skenën korçare.
“Jam shumë i nderuar që jam në Korçë, që është djepi i kulturës shqiptare. Në koncertin e sotëm ka një veçanti, është Kina e ftuar dhe do të ketë muzikë shqiptare dhe kineze që ne do ta luajmë me gjithë zemër. Kur themi Kinë mendojmë largësinë, por muzika i tejkalon kufijtë, i bashkon njerëzit dhe është gjuhë universale. Vajza kineze do këndojë në shqip, dy këngë shkodrane dhe disa këngë shumë të bukura kineze. Do të këndojë edhe këngën ‘Valsi i lumturisë’, i kompozitorit të madh që është dhe babai i udhëheqëses artistike Inva Mula. MIK Festival është një organizim perfekt ku muzikanti e ndien veten shumë mirë kur vjen këtu”, tha Genc Tukiçi.
Pjesë e festivalit ishte edhe sopranoja kineze Xia Wang, e cila për herë të parë viziton Shqipërinë. Ajo interpretoi disa këngë shqiptare dhe kineze, duke i dhënë një domethënie të veçantë shkëmbimit kulturor. Wang tha se performimi në gjuhën shqipe ishte sfidues, por i rëndësishëm për të, ndërsa falënderoi maestro Tukiçin për ndihmën gjatë përgatitjeve.
“Është patjetër kënaqësi të jesh këtu. Është hera ime e parë dhe ndihem e nderuar të jem në Korçë në një qytet kaq të bukur dhe të jem pjesë e këtij festivali. Do të interpretojmë dy këngë franceze, këngë kineze dhe tri këngë shqiptare. Këngët shqiptare ishin sfiduese, sigurisht dua të kem një performancë të përkryer në diksion pasi të këndosh këngë shqip në Shqipëri është shumë domethënëse dhe shkëmbimi i kulturës në këtë vend të mrekullueshëm është shumë i rëndësishëm për mua. Përgatitjet kanë qenë të vështira për mua, por jam e lumtur që jam ndihmuar nga maestro Tukiçi”, u shpreh sopranoja kineze Xia Wang.
Një tjetër emër ndërkombëtar që u ngjit në skenën e MIK ishte Guo Gan, instrumentisti i famshëm që luan në erhu, një instrument tradicional kinez dhe që është dëgjuar në shumë filma të njohur si “Kung Fu Panda”. Ai shprehu gëzimin që ishte për herë të dytë në Shqipëri, duke theksuar dëshirën për të bashkëpunuar me muzikantët shqiptarë dhe për të eksploruar bashkimin e stileve muzikore.
“Jam shumë i lumtur që do të luaj në MIK Festival këtu në Korçë. Është hera ime e dytë në Shqipëri, herën e parë kam luajtur në Tiranë, kam takuar shumë muzikantë dhe jam shumë i lumtur që do të luajmë bashkë. Quhem Guo Gan, jetoj në Paris, dhe më pëlqen muzika e vjetër, më pëlqejnë miksimet. Instrumenti që luaj është erhu, ndoshta e keni dëgjuar më parë nëpër filma si p.sh. te filmi ‘Kung Fu Panda’, të cilin e kam luajtur unë. Më pëlqen të punoj me muzikantët shqiptarë si në studio, filma apo të miksoj muzikën dhe jam shumë i lumtur”, tha Guo Gan.
Drejtuese artistike e festivalit, sopranoja e mirënjohur Inva Mula, u shpreh se përmes muzikës së sjellë nga Kina dhe Shqipëria, festivali përcjell mesazhin e paqes dhe miqësisë. Ajo nënvizoi se këtë vit për herë të parë festivali ka në fokus një dialog të tillë artistik me pjesëmarrje të shkëlqyer kineze.
“Sonte jemi në këtë vend që është magjik për mua dhe kemi sjellë muzikën shqiptare e atë kineze. Artistë shqiptarë që do të intepretojnë muzikën kineze, artistë kinezë që do të këndojnë shqip. Është emocioni në themel të çdo miqësie dhe paqeje. Këtë duam ta sjellim me muzikën kineze, të një populli me një kulturë të madhe dhe është hera e parë që e kemi një gjë të tillë me artistë të shkëlqyer”, u shpreh artistja Inva Mula.
Mbrëmjet e ardhshme do të vijojnë me një program të pasur. Të premten, në teatrin “Andon Zako Çajupi” do të zhvillohet një mbrëmje në nder të tenorit të madh Gaqo Çako, ndërsa të shtunën artistët do të ngjiten në skenën natyrore të Drenovës, për të nderuar 200-vjetorin e lindjes së Johann Strauss, në një interpretim të veçantë ku do të marrë pjesë edhe Eno Peçi, balerini i njohur i Vienës.
“Nesër vijmë në teatrin ‘Andon Zako Çajupi’ me një ngjarje shumë të rëndësishme. Biri juaj që ka lindur në Korçë në 1935, Gaqo Çako, Artist i Popullit, Nder i Kombit, i cili ka dhënë një kontribut të shkëlqyer, do të jetë një mbrëmje e paharruar në teatër. Për të ardhur më pas në fushën e Drenovës, një vend i mrekullueshëm, në 200-vjetorin e lindjes së Johan Shtraus, ne do ta luajmë veprën e tij në një kontekst tjetër, duke ftuar Eno Peçin, yllin e baletit vjenez. Për herë të parë vjen në Korçë bashkë me artistë të tjerë të mrekullueshëm.”
E diela mbyll festivalin me dy koncerte. I pari në Kishën e Vithkuqit, ku do të interpretohen arie kishtare dhe vepra antike të përzgjedhura, në një atmosferë ku ndërthuren kultura, kulinaria dhe tradita. Koncerti final do të mbahet në kupolën e Themistokliut, ku do të rikthehet atmosfera e serenatave të dikurshme, me një program të titulluar “Retro Passion”.
“Ditën e diel e kemi lënë dy koncerte, ku në koncertin e parë shkojmë për herë të parë në Kishën e Vithkuqit, me qëllimin për të qenë pranë kulturës e traditës së Korçës dhe rreth saj. Atje do të intepretojmë ariet e bukura antike, ato kishtare që janë me shumë shpirt, por edhe me një panair të kulinarisë e punimeve me dorë. Kemi dhe një koncert në kupolën e Themistokliut, ku janë kënduar shumë serenata dhe ne do ta sjellim të quajtur “Retro Passion”.
Festivali MIK, si çdo vit, po e kthen Korçën në një pikë takimi të kulturave, ku arti nuk njeh kufij dhe ku tingujt ndërkombëtarë përqafojnë shpirtin vendas./oranews/ KultPlus.com