Edicioni i pestë i RLIOF kulmon me Gala Mbrëmjen Rame Lahaj & Friends, nën përcjelljen e Orkestrës Simfonike të RTSH-së

3 Gusht, 2025 - 9:19 pm

Vjollca Duraku

Nën qiell të hapur, publiku i Prishtinës mbrëmë pati rastin të përjetoj çaste të paharrueshme në mbrëmjen GALA të festivalit Rame Lahaj International Opera Festival, përmes zërit kristal të solistëve Nino Machaidze, Drio Russo dhe nikoqirit Ramë Lahaj. Ky koncert i cili shënoi përmbylljen e edicionit të pestë të festivalit RLIOF erdh në bashkëpunim me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit Roberto Rizzi Brignoli.

“Ëndrra pa kufi, Opera pa Mure” ka qenë motoja e këtij edicioni, që vjen si thirrje për të ndjekur ëndrrat dhe për t’i tejkaluar sfidat. Brenda 10 ditësh sheshet e Prishtinës u shndërruan në teatro operistikë, ku adhuruesit e muzikës klasike patën mundësi të shijojnë madhështinë e veprave më të njohura vendore dhe botërore nga artistë të shquar të skenave prestigjioze.

Mbrëmja e shumëpritur GALA filloi me interpretimin e “Overture”-I vespri siciliani të Giuseppe Verdit nga Orkestra Simfonike e RTSH, e cila përmes tingujve të veçantë të ftonte në përgatitje dhe përqendrim për pjesën ku solistët do të shkriheshin së bashku me shpirtin e tyre, duke jehuar në çdo cep si notë e tingull. Gjatë kësaj kohe, të gjithë ata që ende nuk kishin zënë ulëset e tyre, iu dha mundësia që të rehatoheshin përfundimisht, dhe të shijonin koncertin plotë mrekulli.

Skenës së improvizuar me shkëlqim fishekzjarrësh iu shtua ndriçimi kur instrumenistëve iu bashkangjit edhe sopranoja Nino Machaidze me veprën “Odieu! Que do bioux”- Faust nga Charles Gounod. Kjo vepër nxirrte në pah zërin e kumbues të solistes që përhapej si dritë në tërë hapësirën e sheshit “Skënderbeu”, ku të ulur gjendeshin mijëra shikues. Timbri i saj i ngrohtë të ftonte në një përjetim të ndjerë duke prekur thellë shpirtin njerëzor.

Dinamika e koncertit ndryshoi kur në skenë u shfaq bass-i Dario Russo me veprën “Madamina, il catalogo e questo”- Don Giovani nga më i zëshmi kompozitor i muzikës klasike Wolfgang Amadeus Mozart. Me një zë që peshonte rëndë, si metal i çmuar, tokëzonte atë prani hyjnore të një kompozimi brilant të realizuar shekuj më parë. Një kontroll i kujdesshëm i teknikës vokale, i mundësonte atij një interpretim të jashtëzakonshëm edhe përkundër ngritjeve dhe uljeve të tonit që shpërndahej lehtësisht brenda hapësirës së përcaktuar për një koncert të tillë.

Ndërkaq emocioni i nikoqirit të mbrëmjes, Ramë Lahaj, me veprën “Questa o quella” i dha natës një ëmbëlsi që pushtoi skenën në tërësi. Të kënduarit e tij plotë jetë, u jepte jetë ëndërrave të shumë artistëve të rinj që me sy plotë ëndje ndiqnin performancën e tenorit që e ka jetuar ëndërrën e tij në skena të ndryshme botërore. “Besame mucho” erdh si një himn me elegancë të theksuar që prekte lehtësisht zemrat e publikut.

Veprat “Shiu i verës”, “O moj bukuroshe”, “Po më shkon si zog n’hava” dhanë një shkarkim energjik gëzimi dhe nostaligje për këto perla të cilat ndër vite kanë qenë pjesë e pandashme e shpirtit të popullit. Kënga e preferuar e tenorit Lahaj, “Bishtalecat palë-palë”, e cila vazhdon të jehojë gjithandej nga shkel këmba e solistit shënoi kulmin e edicionit të pestë të RLIOF, edicion ky që u nderua nga një emision i pullave postare për tenorin Lahaj- si një nga zërat më të dalluar të operës moderne ndërkombëtare.

Ramë Lahaj tha se ndihet i privilegjuar për këtë moment sipas tij të veçantë, duke theksuar se  përpjekjet e tij ndër vite kanë qenë të përqendruara në promovimin e imazhit të Kosovës përmes muzikës.

“Ndjej privilegj, janë këto momente që realisht më frymëzojnë, më inspirojnë, më japin përgjegjësi për të bërë atë që kam provuar të bëj viteve fundit, duke menduar që po kontribuoj të promovojë imazhin e Kosovës duke sjellë këngën shqipe nëpër katër kontinente e globin në botë pesë vjetët e fundit. Është moment inspirimi sepse unë sapo kam ardhur nga sezoni i fundit operistik…”, ka thënë Lahaj.

Pjesë e koncertit ishte edhe vepra “Moj e bukura more” e interpretuar me mallëngjim nga arbëreshja 83- vjeçare Angela Dell Aquila, dhe publiku i cili ishte thellësish i prekur nga kjo performancë. Kurse “Për ty atdhe” që u soll nga Dario Russo ishte një moment tejet i veçantë po ashtu. Vepra “Lippen Schweigen”- Die lusige Witwe nga Franz Lehar dha një skenë jashtëzakonisht të bukur romace të luajtur mrekullisht nga Ramë Lahaj dhe sopranoja Nino Machaidze.

Veprat tjera që u interpretuan në këtë mbrëmje plotë magji ishin: “Mesicku na nebi hlubokem”- Rusalka- Antonin Dvorak, “La calunnia  e un venticello”- ll barbiere di Siviglia- Giochino Rossini, “Recondita amonia”-Tosca- Giamo Puccini, “Pleurez! Pleurez mes yeux!- Le Cid- Jules Massenet, “Di due figli… Abbietta zingara”- ll Trovatore- Guiseppe Verdi, “Quanto amore ed io spietata”- L’elisir d’amore- Gaetano Dinozetti, “Fandango”- Dona Francisquita”- Amadeo Vives, “Les filles de Cadix”- Leo Delibes.

Pjesë e mbrëmjes ishte edhe ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit Lorik Cana, i cili ka shpalosur një material promovues për Dokumentarët e realizuar për Arbëreshët.

“Këtë vit, duke qenë përvjetori i pestë doja të bashkoheshim me Ramën në një projekt që po e bëj me fondacionin Lorik Cana. Është fjala për botën arbëreshe. Bota në mes të dy arbërive: Arbërisë Italiane dhe Arbërisë Shqiptare. Pas të gjithë këtyre Dokumentarëve që janë bërë në Tiranë, Milano, Cyrih, New York e pyeta Ramën nëse do të kem mundësi që të sjell një shije arbëreshe në këtë mbrëmje madhështore. Me shumë kënaqësi pranoi. Dokumentarët do të dalin tani. Kanë bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm”, ka thënë Cana.

Pas koncertit plot ndjesi të bukura, solistja Nino Machaidze në një prononcim për media ka thënë se interpretimi në mbrëmjen Gala të RLIOF ka qenë një përvojë e mrekullueshme.

“Absolutisht është e mahnitshme energjia që ndjemë që nga minuta e parë që mbërritëm këtu, për të qenë pjesë e provave dhe gjithçkaje në të gjithë ekipin e këtij Festivali. Ata janë të gjithë kaq të mrekullueshëm dhe e bëjnë këtë punë me shumë dashuri. Dhe rezultati është ky, sepse kur bën diçka me dashuri dhe me zemër rezulton në diçka në një nivel të lartë. Ishte një energji e mrekullueshme, dhe një kënaqësi e madhe të këndoja këtu”, ka thënë sopranoja, duke e theksuar edhe miqësinë me tenorin Lahaj dhe rendësin që ka ky aspekt për të dhuruar një koncert fantastik.

“Para së gjithash ne jemi miq dhe, siç e dini, kur miqësia ekziston, ndodhin gjithmonë gjëra magjike. Ishte e mrekullueshme për mua të performoja herën e parë së bashku në këtë skenë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, solisti Dario Russo i cili para një viti kishte realizuar një master class në Kosovë, tha se gjatë tërë procesit për realizimin e këtij koncerti është ndier “si në shtëpi”.

“Dhe u ndjeva vërtet si në shtëpi dhe ndjeva një energji të jashtëzakonshme që nuk di si ta shpjegoj me fjalë, por është diçka që e percepton në nivelin e lëkurës dhe është diçka që më emocionoi vërtet dhe më pëlqen shumë. Kjo përvojë e përjetuar në Prishtinë është diçka që nuk ka çmim”, ka thënë Russo.

Dirigjenti Roberto Rizzi Brignoli tha se ndihej shumë i lumur që kishte arritur të realizonte këtë eksperiencë të veçantë para publikut në sheshin e Prishtinës.

“Koncerti ishte shumë, shumë emocionues, plot dashuri, me të vërtetë plot emocione kur e shikon këtë, ky është një shesh plot me njerëz, është një moment vërtet i mrekullueshëm. Reagimi i publikut ishte shumë i bukur, shumë i fuqishëm dhe shumë i rëndësishëm për ne. Unë jam shumë i lumtur sepse orkestra e RTSH-së ishte e mrekullueshme dhe programi ishte shumë interesant sepse ne i ndryshuam këngët nga opera në opereta. Ne bëmë gjithçka për këtë koncert”, ka përfunduar dirigjenti Brignoli.

Me Gala Mbrëmjen Rame Lahaj & Friends ka përfunduar edhe edicioni i pestë i festivalit Rame Lahaj Internationa Opera Festival, i cili këtë vit është realizuar me moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa Mure” nga data 23 korrik deri më 2 gusht 2025./ KultPlus.com

Të ngjajshme