Elbasani në ritmin e verës, Ansambli Popullor ndez atmosferën me një spektakël të traditës shqiptare

6 Gusht, 2025 - 2:00 pm

Mbrëmjen e kaluar, sheshi qendror i Elbasanit u mbush me ngjyra, ritme dhe emocione, teksa Ansambli Popullor solli një performancë mbresëlënëse me valle dhe këngë tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare.

Eventi u organizua me përkujdesjen e posaçme të kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, dhe shënoi nisjen zyrtare të një kalendari të pasur aktivitetesh verore që do të zgjasin gjatë gjithë muajit gusht. Kjo nismë synon ta shndërrojë Elbasanin në një pikë tërheqëse për turistët, artdashësit dhe çdo qytetar që kërkon argëtim dhe përjetim kulturor.

Për më shumë se dy orë, qindra banorë dhe vizitorë shijuan një shfaqje të larmishme artistike, ku u ndërthurën harmonikisht muzika, vallëzimi dhe tradita, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive në zemër të qytetit.

Ky aktivitet konfirmon edhe një herë rolin e Elbasanit si një qendër aktive e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare në sezonin veror./KultPlus.com

Të ngjajshme