Kori dhe Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’ po sjellin Gala Koncertin e Vitit të Ri

18 Dhjetor, 2023 - 4:00 pm

I themeluar në shtatorin e vitit të kaluar, Kori dhe Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” suksesshëm po vazhdojnë punën e tyre. Kësaj radhe po sjellin Koncertin Gala të Vitit të Ri të mbushur me një atmosferë festive, përcjell KultPlus.

Kjo ngjarje e veçantë që kryefjalë i ka zërat plot magji të fëmijëve, do të zhvillohet më datën 25 Dhjetor 2023, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, duke filluar në orën 19:30.

Programi i këtij koncerti gala do të jetë një përzierje e veprave të përzgjedhura, duke përfshirë kompozime të dedikuara festave të fundvitit, një repertor të pasur të muzikës klasike, si dhe melodi të njohura nga filmat magjikë të Disney Land. Ky koncert pritet të shpërthejë me një gamë të gjerë emocionesh dhe të transmetojë një energji pozitive për të festuar fundin e vitit në mënyrë të paharrueshme.

Koncerti, i cili do të ketë një kohëzgjatje prej rreth 40 minutave, do të ofrojë një përvojë të mrekullueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

Salla e kuqe e Pallatit të Rinisë pritët të frymojë ndryshe nga talenti dhe pasioni i këtyre të rinjve, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme për të shpërndarë magjinë e muzikës me të pranishmit. / KultPlus.com

Të ngjajshme