Elbenita Kajtazi: Ëndërroj që një ditë të ndaj skenën me Ermonela Jahon, ajo është krenari kombëtare

31 Dhjetor, 2020 - 2:00 pm

Jeta Zymberi

Fëmijërinë e kishte të thjeshtë, teatri e opera ishin dyer që nuk u hapën asnjëherë për të. Ajo nuk frekuentonte vende të tilla. Ishin dyert e shtëpive të lagjes që hapeshin për të marrë qumështin e familjes së Elbenitës, e që asaj i kishte rënë hise ta shpërndante çdo ditë. Kjo punë asaj i sillte kënaqësi sepse në atë kohë Kosova po përballej me forcat serbe dhe aktivitetet tjera për fëmijë ishin pothuajse të pamundura. Elbenita Kajtazi, atë kohë 8 vjeçare, e gjente vetën edhe në diçka tjetër. Strehim e qetësim në kohë lufte e kishte këngën. Frikën e mbizotëronte me zërin e saj poshtë tavolinës apo në ndonjë qosh të shtëpisë, aty ku zëri nuk i dëgjohej fort. Ndërsa sot, duket sikur ai zë që për shkumë kohë u akumulua në brendësi të saj, ka arritur të depërtojë në skenat më të mëdha të operës në botë. Ndonëse një rrugëtim i pamenduar më herët, Elbenita me rrëfimin e saj dëshmon që asgjë nuk është e pamundur.

Ndërsa popullariteti u përhap dhe potenciali i saj i vërtetë po shpaloset nëpër skena botërore, ajo është shndërrua në diçka shumë më tepër, në një vajzë inspiruese.

Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, Elbenita na tregon për një rrugëtim prekës, frymëzues dhe emocionues. Ajo flet për frikën, pengesat, pasionet, përparimin e shumë më tepër për atë që e drejtoi dhe i shtroi këtë rrugë suksesi.

Elbenita Kajtazi

KultPlus: Keni potencuar që për herë të parë keni shikuar një shfaqje operistike në kanalin YouTube, ndërsa sot ju keni arritur të depërtoni suksesshëm në skenën ndërkombëtare dhe të shkelni skena të mëdha, si e përshkruan këtë rrugëtim?

Elbenita Kajtazi: Për të përshkruar rrugëtimin tim në fjalë të shkurtra do potencoja shumë punë e përkushtim, besim i madh në atë që kam dashur të arrijë, fat, dhe shumë dashuri për punën që unë bëj. Nuk ka qenë e lehtë, sepse kur shpjegohet me fjalë të shkurtra tingëllon si diçka e lehtë për tu arritur, po nuk ka qenë gjithashtu e paarritshme, ka pasur zhgënjime, ka pasur thyerje emocionale, ka pasur momente kur edhe kam dashur të heq dorë nga ajo që ëndërroja por kanë qenë çështje minutash, prap e kam marr forcën dhe guximin. Gjithashtu vlen të përmendet që kam pasur afër vetës njerëz të mrekullueshëm që nuk më kanë lenë të bie poshtë asnjëherë. 

KultPlus: Gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë ju ishit një fëmijë, keni deklaruar që kënga ju ka ndihmuar te tejkaloni atë periudhë të vështirë, na fol pak për ndikimin e muzikës në rrethana të tilla?

Elbenita Kajtazi: Muzika për mua atëherë si fëmijë 8 vjeçe e gjysmë ka qenë terapi, ikje nga një realitet i hidhur në një dimension që do doja të gjendesha si fëmijë, mes lodrave e jo në mes plumbave. Muzika edhe sot lirisht mund të themi që është terapi e shpirtit kur ajo muzikë është e mirëfilltë dhe të flenë në shpirt. Unë atëherë nuk e kam pasur aspak idenë se çfarë është muzika operistike, por kam kënduar këngë popullore, këngë për fëmijë, ninulla me të cilat nëna na ka rritur. Unë nuk kam pasur guximin të këndoj me zë, sepse kur futeshin serbët në shtëpi nuk është që ke guxuar të bësh zë, por në mendjen time jam gjendur diku tjetër, me tingujt e muzikës që më janë sjell nëpër kokë. Kur kemi dal si refugjatë në Shqipëri atëherë kam filluar të këndoj me zë të lartë, duke u munduar në çdo sekondë të harroj ato që kemi përjetuar ne si familje gjatë luftës, duke u munduar ta ndjej veten të lirë, sikur një zog kur këndon në degë pa menduar fare se çfarë do vijë më pas, duke shijuar lirinë në maksimum por gjithmonë duke shpresuar që një ditë do të kthehem në Mitrovicën time, në Drenicën time, vendin tim të lindjes, e lirë të vrapoj e të ëndërroj pa menduar frikën. 

KultPlus: Shkaku i pandemisë, ky vit u konsiderua i “fjetur” edhe sa i përket jetës kulturore. Por, ju morët një lajm të mrekullueshëm për karrierën tuaj. Ju besua roli i Violetës në shfaqjen operistike “La Traviata”, një rol i ëndërruar për shumë soprano, si e pritët këtë lajm?

Elbenita Kajtazi: Është e vërtetë, mua personalisht më janë anuluar shumë shfaqje dhe kontrata të cilat kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme, por që njëra prej tyre u realizua, e ajo është Violetta nga Opera “La Traviata” në Bordeaux të Francës në muajin Shtator. Për shkak të Covid-19 ka qenë pikëpyetje e madhe se a do realizohet apo jo, dhe fatmirësisht u realizua dhe kishte një suksese për të cilin jam shumë e lumtur dhe krenare, sepse u shpërblye puna ime e madhe që kam bërë me këtë rol dhe debutimi im në Francë la me të vërtetë përshtypje të mira atje. 

KultPlus: Ju ka ndodhur që gjatë interpretimit tuaj në ndonjë skenë botërore të keni në publik prindërit, nëse po na fol pak për emocionin që të fal prezenca e tyre?

Elbenita Kajtazi: Unë kam pasur fatin t’i kem prindërit e mi një herë në Gjermani dhe kanë pasur mundësi ta shikojnë shfaqjen “Die Zauberflote”, fatkeqësisht jo në të njëjtën kohë, babai e ka parë Paminen time në Berlin, kurse nëna ka qenë prezente kur kam kënduar po të njëjtin rol në Aalto Muziktheater në Essen, Gjermani. Ka qenë ndjenjë që nuk kam fjalë ta përshkruaj, periudhë të cilën nuk do e harrojë kurrë. Është shumë kënaqësi e madhe kur sheh prindërit e tu të krenohen e shijojnë çdo sekondë të asaj që ke arritur. 

KultPlus: Përkundër faktit që karriera juaj po zhvillohet jashtë Kosovës, ju asnjëherë nuk i harroni rrënjët, shpesh jeni pjesë e festivaleve të ndryshme, keni në plan mbajtjen e ndonjë koncerti solistik në Kosovë?

Elbenita Kajtazi: Unë jam shumë krenare me rrënjët e mia, nuk e mohoj asnjëherë prejardhjen time dhe me shumë mburrje tregoj gjithmonë se nga vij. Kohëve të fundit nuk kam mundur të jem shumë prezente në vendin tim për shkak të angazhimeve të shumta jashtë Kosovës, por nuk e mohoj dot që kam marr ftesa dhe marr ftesa vazhdimisht por që fatkeqësisht sezonet e mia janë të planifikuara qysh tash edhe për vitin 2023 dhe është shumë e vështirë të gjej kohë të lirë të jem me ndonjë koncert ose paraqitje në Kosovë, vij shumë shpesh për pak ditë dhe vizitoj familjen por jo më shumë se aq. Kurdo që kam kohen dhe gjërat planifikohen paraprakisht nuk do hezitoj të vij dhe të këndoj për publikun më të dashur që ma mbush zemrën me shumë dashuri.

KultPlus: Përkthimi i Operave botërore në gjuhën shqipe është i mangët, andaj ju keni marrë iniciativën e përkthimit në shqip të historive të operave të huaja, si lindi ideja dhe a ka nisur procesi i punës?

Elbenita Kajtazi: Unë kam studiuar vet në Kosovë dhe e di mirë se sa ka mungesë materialesh në drejtimin operistikë, prandaj meqenëse jam shumë aktive në këtë drejtim në botën e jashtme, më erdhi ideja që përvojat e mia ti ndaj edhe me të gjithë studentët që janë të interesuar të mësojnë dhe të ecin përpara në këtë drejtim. Kam parë shumë video që postohen dhe nuk kanë aspak karakter edukues dhe prandaj vendosa të marr këtë iniciativë që ata njerëz që janë të interesuar të mësojnë rreth botës operistike të dëgjojnë shpjegimet e tyre në mënyrë shumë të thjeshtë dhe të kuptueshme. Procesi i punës ka nisur dhe deri tani kemi postuar dy shpjegime, atë të operës Manon nga opera Massenet dhe Cosi fan tutte nga Mozart. Iniciativës time ju kanë bashkangjitur edhe artistë të tjerë shqiptarë dhe mezi presim të vazhdojmë punën dhe të postojmë edhe shpjegime tjera. 

KultPlus: Ju shpesh e ngrisni zërin edhe për çështje të ndryshme sociale në Kosovë e sidomos në rastet e dhunës, sa ndikon në ju gjendja jo e mirë e popullit tënd? 

Elbenita Kajtazi: Unë mërzitem shumë nga fakti që dhuna e bërë ndaj grave nuk dënohet sa duhet, mërzitem dhe irritohem kur e shoh trajtimin e keq të grave, dhuna duhet të dënohen nuk ka rëndësi se nga kush vjen nga gratë apo burrat, dhuna duhet të dënohen ashtu siç e meriton. Mua personalisht më thehet zemra kur shoh raste që vritet gruaja dhe burri nuk dënohet aq sa duhet, thjesht se përballoj dot dhe prandaj reagoj dhe mendoj që unë nuk duhet të jem e vetmja, gjithë ata, zëri i të cilëve dëgjohet duhet të reagojnë. I ftoj edhe gratë që janë pjesë e parlamentit të bëjnë më shumë në këtë drejtim, të bashkohen më shumë se kurrë e ta luftojnë këtë dukuri që dëmton gruan, ul gruan poshtë dhe humb identitetin e gruas. 

KultPlus: Vajzat shqiptare pothuajse e kanë poshtuar botës në fusha të ndryshme, suksesi i tyre po i bën krenarë të gjithë, si e shihni ju rrugëtimin e vajzave shqiptare nëpër botë? 

Elbenita Kajtazi: Çdo arritje e çdo femre shqiptare më bënë krenare nga toka deri në qiell. Unë jam e sigurt që asnjëra nga ato gra nuk e kanë pasur të lehtë të arrijnë aty ku janë por janë përkushtuar kanë punuar shumë dhe sot na bëjnë krenarë në gjithë botën. Uroj që këto arritje të jenë inspirim për të gjitha femrat tjera, që të mos dorëzohen kurrë dhe të ndjekin ëndrrat e tyre duke lënë anash paragjykimet dhe të thënat e kota që ndonjëherë jo rrallë dëgjohen në Kosovë si pre e mentalitetit të cilin ne e kemi. 

KultPlus: Secilin sukses në jetë zakonisht ja dedikojmë dikujt, po ju ku e adresoni suksesin tuaj?

Elbenita Kajtazi: Unë suksesin tim së pari ia dedikoj punës dhe përkushtimit tim, familjes time që më kanë qëndruar gjithmonë afër duke më përkrahur në të gjitha vendimet që unë kam marr, Ermonela Jahos person që nuk më ka lëshuar dorën asnjëherë duke më këshilluar gjithmonë me gjërat e duhura, Vera Calabria personit që bëri të mundshme audicionet e mia të para, profesoreshës time të këndimit Caroline Merz pa të cilën nuk do posedoja teknikën e këndimit që posedoj sot dhe patjetër bashkëshortit tim Ardianit me të cilin kemi thurur ëndrrat që po realizojmë sot që nga shkolla e mesme. 

KultPlus: Zëri juaj po rrugëton suksesshëm në vende të ndryshme, por në cilin teatër botëror ëndërroni të interpretoni një ditë?

Elbenita Kajtazi: Unë kam shumë ëndrra që uroj t’i realizoj në një afat jo shumë të gjatë, unë tashmë kam interpretuar në teatro të ndryshme nëpër botë, dhe kontratat me teatro të ndryshme veçse janë nënshkruar, por ëndrra ime më e madhe është që një ditë të këndoj në një teatër operistike në Kosovën time të dashur, uroj të mos mbaroj karrierën time pa shkelur këmba ime në një teatër në Prishtinë për të cilin do jem krenare dhe do lë zemrën time aty. 

KultPlus: Me cilin artistë botërorë do të doje ta ndaje skenën të paktën njëherë?

Elbenita Kajtazi: Unë tashmë kam ndarë skenën me emra botëror si Placido Domingo, Rolando Villazon, Anja Herteros e shumë shumë të tjerë, dirigjent si Zubin Mehta, Kent Nagano, Donald Runicals por ëndrra ime është që një ditë ta ndaj skenën me motrën time Ermonela Jaho, sepse është  dhe do mbetet krenari kombëtare. 

KultPlus: Çfarë është duke bërë Elbenita kohëve të fundit dhe ju është ofruar ndonjë rol që do ta ndaje ekskluzivisht me lexuesit tanë?

Elbenita Kajtazi: Unë për momentin jam shumë e zënë me studimin e operës Manon, konkretisht rolin Manon nga opera e Massenet, gjithashtu rolin Mimi nga opera La Bohen si dhe Dona Anna nga opera Don Giovanni , jam me prova aktive në Staatsoper Hamburg dhe kontrata të tjera do publikoj atëherë kur edhe teatrot do i publikojnë sepse nuk kam drejtë më herët. Ajo që më duhet të veçoj patjetër është pjesëmarrja ime në festivalin më të madh botërorë këtë verë Salzburger festspiele në Austri, dhe përgatitjet natyrisht nuk janë të lehta po mezi pres të ngjitem prapë në skenën ku edhe Mozart para qindra viteve ka interpretuar. 

KultPlus: Para pak ditësh ju keni ndarë me publikun një rrëfim personal tejet inspirues. Dikur ju shisnit qumësht në lagje, sot një soprano me famë ndërkombëtare, cili është mesazhi juaj për të rinjtë që sot janë në një pozitë të tillë që ndoshta suksesin e shohin larg e ndoshta të pamundshëm?

Elbenita Kajtazi: Unë ju them që më besoni asnjë sukses nuk është i pamundshëm nëse punoni fort e nuk zhgënjeheni por besoni shumë në vetvete, asgjë nuk është e lehtë në jetë por gjithashtu asgjë nuk është a paarritshme prandaj mos harroni që puna dhe vetëm puna e përkushtimi të drejtojnë drejtë një rrugëtimi të pastër dhe plot sukses. 

KultPlus: Si do ta përshkruaje vitin që po e lëmë pas?

Elbenita Kajtazi: Viti që po e lëmë pas nuk ka qenë aspak i lehtë për secilin. Vit i çuditshëm dhe me të vërtetë një sfidë e madhe për të gjithë njerëzimin. Vit që nuk do të harrohet asnjëherë por uroj që të kaloj sa më shpejtë. Pa marrë parasysh sfidës së madhe mendoj që kjo pandemi ka afruar njerëzit më shumë me njëri-tjetrin, ka bërë të kuptohet që në këtë jetë nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa shëndeti dhe dashuria e kujdesi në familje. Unë cilësoj familjen si gjënë më të shenjtë në botë dhe uroj ta kenë shëndetin e mos të përjetojmë dhimbje që shumë familje kanë përjetuar duke humbur më të dashurit e tyre. Për sa i përket karrierës unë e cilësoj si një vit përkundër rrethanave mjaft të suksesshëm dhe të paharrueshëm. / KultPlus.com

Të ngjajshme