Elbenita Kajtazi gati për debutimin në Francë, zëri i saj do të pushtoj teatrin e Bordeaux

28 Gusht, 2020 - 3:31 pm

Suada Qorraj

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi e cila tash e disa kohë ka filluar që të pushtoj skenat më të njohura operistike me zërin e saj të jashtëzakonshëm, tashmë do të debutoj edhe në teatrin francez Bordeaux. Shtatori i këtij viti do të bëjë bashkë Violetën e operës së Verdit, La Traviata, me madhështinë e të kënduarit të sopranos kosovare, shkruan KultPlus.

Vera e këtij viti ishte planifikuar të fillonte ndryshe, por pandemia që dal nga dal po kaplonte botën, nuk la pa prekur edhe botën e artit e të kulturës, duke sjellë kështu në anulimin e shumë shfaqjeve, koncerteve e festivaleve. Madje dy nga festivalet që u anuluan për këtë vit ishin edhe Glyndebourne dhe Salzburger Festspiele, në të cilat do të interpretonte edhe sopranoja kosovare.

Në një intervistë për KultPlus, Elbenita Kajtazi ka rrëfyer se ndonëse fillimin e pandemisë e kishte menduar si pushim për vete, me rëndimin e gjendjes dhe anulimin e koncerteve kjo periudhë për të nuk ishte lehtë e përballueshme.

“Gjendja pandemike sa shkonte dhe rëndohej dhe filluan edhe anulimet e shfaqjeve që përfshinte gjithë verën e 2020, atëherë fillova me të vërtetë të mërzitem shumë dhe duhej shumë angazhim në gjëra tjera që mos të mendoja gjithë kohës për anulimet e Glyndebourne dhe Salzburger Festspiele, dy festivale që i kam pritur me padurim”, ka deklaruar ajo.

Megjithatë sopranoja e konsideron veten me fat që përgjatë kësaj kohe ka qenë pjesë e trupës shtetërore të teatrit në Hamburg. Sipas saj përgjatë periudhës pandemike vendi ka pasur një kujdes të shtuar kundrejt artistëve.

Ndonëse një pjesë e madhe e koncerteve dhe shfaqjeve ku do të merrte pjesë Kajtazi ishin anuluar, në qershor të këtij viti ajo kishte njoftuar se tashmë një derë e re ishte hapur në karrierën e saj. Elbenita Kajtazi tashmë kishte filluar përgatitjet për të interpretuar Violetën nën madhështinë e teatrit të Bordeaux.

Ajo e konsideron veten me fat që kjo shfaqje është e vetmja që nuk është anuluar deri më sot edhe pse do të zhvillohet në rrethana krejtësisht të ndryshme e të pazakontë.

“Ndjehem me fat patjetër që është e vetmja që nuk është anuluar deri tani, edhe pse do mbahet në rrethana komplet të ndryshme nga përpara, me shumë distancë mes këngëtarëve në skenë dhe me audiencë të reduktuar”, ka pohuar sopranoja.

Kajtazi ka thënë se roli i Violetës është mjaft sfidues e në të njëjtën kohë i bukur për ta kënduar. Ajo ka shtuar se interpretimin e parë të Violetës e kishte bërë në prill të vitit 2018, e për të gjatë këtij interpretimi ka qenë e vështirë t’i bëjë ballë emocionit, thyerjes shpirtërore dhe vuajtjes që Violeta kalon gjatë tri orëve në skenë.

“Roli i Violetës është me të vërtetë një rol shumë sfidues, por aq i bukur sa kur e këndon harron gjitha sidat që ke kaluar deri sa e ke studiuar si duhet. Unë Violetën e kam kënduar për herë të parë në Aalto Muziktheater në Essen të Gjermanisë në muajin prill të vitit 2018. Atëherë ka qenë shumë e vështirë për mua ti bëj ballë emocionit, thyerjes shpirtërore dhe vuajtjes që Violeta kalon gjatë tri orëve në skenë duke kënduar muzikën e mrekullueshme të kompozuar aq bukur nga Verdi”, ka deklaruar Elbenita.

Sopranoja ka shtuar se që nga 2018 e deri më tani nuk ka pranuar që ta këndoj diku tjetër këtë rol, sepse sipas saj interpretimi i Violetës kërkon një pjekuri të madhe. Kajtazi ka thënë se për interpretimin e saj në Bordeaux ka kërkuar ndihmën e menaxherit të saj Alan Green, Ermonela Jahos dhe të profesoreshës së saj Caroline Merz.

Elbenita Kajtazi përgatitjen për këtë rol e ka konsideruar periudhë provash që nuk kanë mbaruar që nga koha e nënshkrimit të kontratës para dy vitesh. Ajo ka vënë në pah faktin se ka studiuar së bashku me Ermela Jahon edhe para pandemisë, por dhe pas saj.

“Përgatitja e këtij roli ka qenë periudhë provash që nuk ka mbaruar që nga momenti që kam nënshkruar kontratën pra që para dy vitesh. Kam studiuar shumë me Ermonela Jahon para pandemisë kur isha në New York, si dhe gjatë karantinimit përmes mësimit në Zoom,  pastaj me Caroline Merz gjatë gjithë kohës në Gjermani, si dhe me pianistë trajnerët e mi që janë në Staatsoper Hamburg”, ka pohuar ajo.

Sopranoja kosovare e konsideruar veten me fat që ka pasur krah vetes sopranon Ermonela Jaho. Sipas saj askush më mirë se Ermonela nuk mund të të mësoj të interpretosh Violetën e Verdit, të cilin ajo e ka kënduar shumë herë në skenat më të mëdha botërore.

Krejt në fund ajo ka thënë se mezi pret të këndoj një nga rolet më të mrekullueshme për një soprano. Gjithashtu Kajtazi ka shtuar se do të vazhdoj me përgatitjen e debutimeve të tjera që e presin. Manon, Mimi, Donna Anna janë vetëm disa nga rolet që tashmë ajo është kontraktuar ti këndoj në tre vitet e ardhshme. / KultPlus.com

Të ngjajshme