Elizabeta dhe Artemida Qarri premtojnë risi muzikore me projektin e tyre të ri

1 Gusht, 2025 - 12:49 pm

Pianistet dhe profesoreshat universitare Elizabeta dhe Artemida Qarri, të njohura për përkushtimin e tyre në artin dhe shkencën e muzikës, kanë ndërmarrë një projekt unik, i cili premton të lërë gjurmë jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Në qendër të këtij projekti qëndrojnë dy vepra me peshë të jashtëzakonshme historike dhe kulturore:
“O VENDI IM – MALËNGJIMI” nga Rashid Krasniqi, si dhe muzika e filmit “SKËNDERBEU”, e kompozuar nga Çesk Zadeja. Të dyja këto vepra, tashmë të ngulitura në kujtesën kolektive shqiptare, janë rikrijuar në një formë të re, si risi muzikore për dy piano dhe orkestër, falë orkestrimit mjeshtëror të kompozitorit dhe profesorit Valton Beqiri.

Ky projekt novator është më shumë se një interpretim, ai është një dëshmi e gjallë e mënyrës sesi muzika klasike shqiptare mund të riimagjinohet dhe të komunikojë fuqishëm me publikun e sotëm. Ai gjithashtu paraprin një album dhe një koncert të madh, ku dy pianot dhe orkestra do të flasin në një gjuhë të përbashkët emocioni dhe profesionalizmi.

I mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt afirmimit të trashëgimisë muzikore kombëtare në një dimension bashkëkohor dhe ndërkombëtar.

Të ngjajshme