Ermal Meta ndez skenën e ‘Air Albania’ (FOTO)

18 Shtator, 2021 - 9:32 am

Këngëtari me origjinë shqiptare Ermal Meta ndezi mbrëmë skenën e ngritur në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, ku performoi edhe në shqip, një surprizë kjo e përgatitur për publikun shqiptar.

Koncerti i parë që u organizua në stadiumin e ri në kryeqytet erdhi me shumë surpriza, ku kantautorit të njohur iu bashkuan në skenë edhe artistë të tjerë. Elhaida Dani ishte këngëtarja e parë që zotëroi skenën me zërin e saj potent.

Koncerti, i cili ishte falas për artdashësit, u zhvillua në respekt të masave antikovid, ndërsa Ermal Meta performoi 65 këngë, ndër të cilat edhe një këngë në gjuhën shqipe.

Ermal Meta, i cili jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij artistike në Itali, u rikthye pas tri vitesh në turin e tij të ri muzikor në Tiranë, me këtë koncert në Stadiumin “Air Albania”.

Pas shumë muajsh pauze prej pandemisë, Ermali vendosi të kryejë turin e tij të parë muzikor. Një turne i cili i jep fund mungesës së koncerteve, por në të njëjtën kohë ka një rëndësi emocionale për këngëtarin prezenca e tij në Shqipëri.

Kantautori italian Ermal Meta ka marrë pjesë në tre edicione të Festivalit të Sanremos, ku në 2018 fitoi edhe çmimin e parë me këngën “Non mi avete fatto niente”, së bashku me këngëtarin italian Francesco Moro.

Ermal Meta ka qenë anëtar i grupit muzikor italian “Ameba4” dhe “La Fame di Camilla”. Pasi kompozoi këngë për disa artistë italianë, ai filloi karrierën e tij solo, duke nxjerrë edhe albumet Umano (2016) dhe Vietato morire (2017) dhe “Non abbiamo armi”, (2018) . Ai ka rrëmbyer edhe çmimin ‘MTV Europe Music Awards’. Në Eurovizion bashkë me Fabrizio Moro u rendit i pesti. /atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme