Festivali i 62 i Këngës në RTSH, Elton Deda: Të krijojmë një standard që muzika shqiptare të lëvizë në drejtimin e duhur

1 Nëntor, 2023 - 10:13 pm

Muzikanti i njohur Elton Deda i cili do të jetë drejtuesit i bandit dhe pianist i festivalit të 62 të Këngës në RTSH, theksoi se me këtë event muzikor, synohet që t’i jepet një tjetër standard muzikës shqiptare.

Duke folur në konferencën e realizuesve të festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, Deda theksoi se ngjarja më e madhe muzikore e vitit ka në objektiv që të lëvizë në drejtimin e duhur.

“Ideja e këtij festivali të 62’, është që ne të krijojmë një standard që ne të lëvizim muzikën e duhur shqiptare.

Ky është mesazhi im për të gjithë. Kam qenë pjesë e komisionit përzgjedhës, i larguar nga paragjykimet por i orientuar drejt muzikës pop dhe të bukur që sot e dëgjojmë në botë dhe jep mesazhe të bukura dhe drejt asaj duhet të shkojmë”, u shpreh muzikanti Deda.  

Ai theksoi se RTSH-ja është një institucion që me ketë festival do t’i japë një fytyrë të atillë festivalit të 62’ që t’i rezistojë kohërave.

“Ne sjellim këngë sa më të mira, këngë të cilat kanë tekst. Muzika në të gjithë botën është në regres sa më shumë kemi mundësi sidomos kur është një institucion si RTSH, që të ketë mundësinë të luftojë të keqen, kjo është gjëja më e mirë.  

Ne mendojmë që t’i japim një fytyrë festivalit që ky të mos jetë sot për sot, por të jetë sot edhe për mot. Kështu duhet të vazhdohet me vizion”, u shpreh Deda.

Muzikanti Deda inkurajoi të gjithë orkestruesit, dirigjentët dhe kompozitorët duke theksuar se do të ketë një bashkëpunim “jo vetëm nga ana teknike por edhe shpirtërore. Shpeshherë këngët janë vërtet të shkruara në nota, por ato nota duhet shpirt për t’i luajtur. Në momentin që ne e arrijmë këtë gjë, festivali ka për të pasur një sukses akoma më të garantuar”./rtsh/KultPlus.com

Të ngjajshme