Festivali i Lahutës bashkon Hotin në Plavë e Guci

14 Korrik, 2025 - 12:03 pm

Është organizuar Festivali i Lahutës, në kuadër të takimeve të Hotit të Kujit mbi Plavë e Guci.

Ringjallja e identitetit dhe rikthimi i artit e kulturës në këto treva të banuara nga shqiptarët, konsiston si një ndër qëllimet kyçe të këtij festivali.

“Arsye kryesore për çdo aktivitet që e kemi marrë këto tetë vitet e fundit që jam këtu është për ta rikthyer identitetin edhe për të mos lejuar të zhduken shqiptarët që jetojnë në Hot e pastaj vazhdojmë në Plavë e më tutje. Shpeshherë them se ne që jetojmë si pakicë shqiptare në Mal të Zi, jemi ‘trohat e bukës’ së Shqipërisë dhe Kosovës, prandaj ato duhet t’i mbledhë dikush”, tha Kaltrina Hoti, organizatore.

Profesori Zymer Neziri, në kuadër të organizimit, thekson se përpos të tjerave, festivali bart rëndësinë hapsinore, pikërisht për shkak të vendit në të cilin zhvillohet, një vend tipik historik.

“Këtu nuk po vij për herë të parë kam qenë edhe herë të tjera nga rinia e hershme po vërtetë sa herë vij këtu zemra si thonë  më bëhet mal për këta njerëz se ende vazhdojnë jetën këtu, ende përpiqen të mbijetojnë dhe ende përpiqen të krijojnë edhe një brez tjetër të cilin e pamë këtu me paraqitjen e vet me valle po edhe me këngë pra edhe me instrumente muzikore.” – shprehet profesori.

Ndërsa profesori Binak Ulaj tha se me këto aktivitete Hoti ka filluar të gjallërohet. “Kësaj vlere ia shton peshën edhe ky manifestim që u mbajt këtu për arsye se jo vetëm që kultivon një kulturë tonën tradicionale, siç është Festivali i Lahutës por i bashkon njerëzit e të gjitha trojeve shqiptare dhe kjo ka një rëndësi të veçantë”, tha Ulaj.

Ky festival bart vlera kulturore për arsye se organizohet në tokat e humbura shqiptare, por jo të harruara. Kultivimi i vlerave kulturore dhe artistike shqiptare në këto troje shenjon edhe hapërimin drejt ruajtjes kolektive dhe kujtesës historike.

Në përmbyllje të këtij takimi tradicional, në skenë dolën dy vajza nga dy familje të asimiluara shqiptare në Rozhajë, të cilat tashmë kanë filluar të kthehen kah rrënjët e tyre./KultPlus.com

Të ngjajshme