Festivali i Resë, vëllezërit Zena sjellin tinguj të magjishëm për publikun e Tiranës

23 Qershor, 2021 - 8:24 pm

Festivali i Resë solli mbrëmjen e djeshme performancën e vëllezërve Zena, aq të njohur të muzikës popullore qytetare të Shqipërisë së Mesme.

Publiku e ka shijuar shumë këtë mbrëmje të veçantë që erdhi në ambientet e hapura të “Resë”. Ata u shoqëruan në këtë koncert edhe nga ansambli “Isuf Myzyri” i qytetit të Elbasanit.

Vëllezërit Zena janë një duo artistësh të njohur, të cilët konsiderohet edhe si bilbilat e këngës popullore elbasanase. Medi dhe Demir Zena të cilët kanë një karrierë prej shumë dekadash dallohen për cilësitë melodioze, të sinkronizuar dhe të ëmbël me njëri-tjetrin. Muzikën dhe këngën qytetare elbasanase ata jo vetëm që e ngritën në nivele shumë të larta, por e bënë të identifikohet në të gjithë zonën e Ballkanit, si një vlerë dhe pasuri kulturore dhe shpirtërore.

Repertori i vëllezërve Zena është shumë i gjerë, për shkak të pëlqyeshmërisë që ata kanë në të gjithë vendin. Ata përveç muzikës së trevave të Shqipërisë së Mesme, këndojnë me shumë hijeshi edhe këngë të trevave të tjera që nga veriu dhe deri në jug. Gjithashtu edhe këngë të trevave të Prishtinës, Ulqinit, Tetovës e Gostivarit, deri tek ato të Ohrit. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme