Festivali Ndërkombëtar i Muzikës në Kalanë e Himarës me artistë të skenave botërore

2 Gusht, 2023 - 10:08 am

Kalaja e Himarës do të presë nga 3-10 gusht edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës me 8 koncerte me muzikantë të njohur të skenave botërore.

Agjencia kombëtare e Turizmit bën të ditur se “artistët nga Shqipëria, Gjermania, Franca, Kosova, Rumania, Rusia, Greqia, Mali i Zi dhe Kanadaja me muzikën klasike do të gjallërojnë dhe ndriçojnë si asnjëherë më parë një nga monumentet më të vyera të bregdetit jonian”.

Performancat kushtuar natyrës “Lament of the Earth” “Vajtimi i Tokës), repertori me muzikë korale të kompozitorit Rafet Rudi, pjesë të zgjedhura të këngës tradicionale qytetare dhe bashkëkohore, të kompozitorëve Gjon Simoni, Çesk Zadeja dhe Vasil Tole, pjesë nga Brahms, Debussy, Fauré, Mozart, Dvorak, Schubert dhe Chopin, të interpretuara nga pianisti francez Sebastian Ene, si dhe tingujt fantastikë nga muzikanti 24-vjeçar Théo Ould do të jenë disa nga pjesët e zgjedhura të programit të festivalit.

“Muzikë dhe surpriza të panumërta do të përjetoni në Festivalin e bukur të Himarës, i cili do t’ua bëjë pushimet në bregdetin e bukur shqiptar të paharrueshme, gjithmonë nën guidën e TEA-s”, thekson AKT.

Vitin e kaluar u zhvilluan pesë koncerte nga njëmbëdhjetë artistë nga Shqipëria, Franca, Gjermania, Japonia, Kuba, të cilët interpretuan muzikën klasike, tango, jazz e kontemporane./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme