Festivali Ndërkombëtar “Vox Baroque”, tingujt e muzikës baroke mirëpriten nga publiku kryeqytetas

22 Shtator, 2020 - 12:49 pm

Ky festival i cili mundëson promovimin dhe përhapjen e repertorit në breza është pjesë e trashëgimisë kulturore. Në edicionin e tij të 7-të, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke nisi tek Muzeu Historik Kombëtar duke ofruar tingujt e muzikës së vjetër baroke. Të pranishëm në festival ishin edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, sopranoja e njohur Inva Mula, artdashës etj.

Themeluesi i Festivalit “Vox Baroque”, Jusuf Beshiri, tha se “menduam të zhvillonim një aktivitet që bën pjesë tek “Vox Barouqe”, por në mënyrë të tjetërsuar duke mbajtur distancë për shkak të situatës, por në të njëjtën kohë duke na mbushur zemrat me muzikë të bukur e të veçantë siç është muzika baroke”.

“Menduam që duke qenë muaji i trashëgimisë kulturore ishte gjëja më e bukur që në një sallë të mrekullueshme si ajo e ikonave të bënim një koncert këtu, pasi është vend i magjishëm”, – tha Beshiri.

Në koncert interpretuan për publikun e pranishëm në sallë, sopranoja e mirënjohur Ulpiana Aliaj dhe kitaristi Denis Bizhga.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke “Vox Baroque” mbetet aktiviteti i vetëm në llojin e tij në Shqipëri. Ky festival synon gërshetimin mes përhapjes së repertorit të kohës kur lindi si zhanër të ekzekutuar sipas rregullave të traktateve të kohës dhe iniciativave alternative promovuese të atyre artefakteve pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare.

Pas Tiranës, Gjirokastra do të jetë destinacioni tjetër i rrugëtimit të këtij festivali, jo thjesht një itinerar muzikor, por dhe turistik për të gjithë ata që dëshirojnë të shijojnë tingujt e kësaj muzike që daton në vitet ‘700, por që mbetet e freskët përherë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme