Finalja e edicionit jubilar “ArsKosova 2025” kulmon me talente dhe çmime prestigjioze ndërkombëtare

15 Qershor, 2025 - 12:28 pm

Nga mbi 100 talente pjesëmarrëse në Edicionin e XX-të, jubilar, të Garave të Muzicientëve të Rinj ArsKosova, sot në Koncertin Final do të performojnë instrumentistët më të dalluar, të përzgjedhur për të përfaqësuar më të mirën e brezit të ri muzikor.

Koncerti Final do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të UP-së, më 15 qershor 2025 (e diel), në ora 14:00, ku do të ndahen edhe çmimet më të rëndësishme të këtij edicioni.

Çmimet Kryesore të Edicionit Jubilar ArsKosova 2025:

  • GRAND PRIX ARSKOSOVA 2025 – shpërblim prej 500 euro, për interpretimin më të jashtëzakonshëm të garës.
  • Çmimi për Koncert Solistik – mundësi për të performuar si solist në Festivalin Kosova KamerFest dhe në projektet vjetore të Fondacionit ArsKosova.
  • 4 Masterklase falas për 8 instrumentistë harkorë, me violinisten e njohur Prof. Sihana Badivuku.
  • Çmimi për Performancën më të Mirë të një Vepre Shqiptare – nxitje për promovimin e muzikës së kompozitorëve shqiptarë.
  • Çmimi i Kompozitorit AKIL M. KOCI – çmim tradicional prej 500 euro, ndarë nga kompozitori i njohur, pjesë e pandashme e Garave që nga viti 2023.
  • Çmimi i Violinistes DRITA DIDA – gjithashtu me shpërblim prej 500 euro, në nder të figurës së spikatur të muzikës shqiptare.
  • Çmimi CHOPIN PIANO FESTIVAL & ASSOCIATION – përfshin një koncert dhe shpërblim prej 200 euro.
  • Çmimi ESTA KOSOVË (European String Teacher’s Association – Kosovo) – përfshin huazimin falas të një violine për vitin akademik 2025-2026 si dhe masterklase ndërkombëtare falas për violinistin fitues.

Juria profesionale për këtë edicion jubilar përbëhej nga profesorë të mirënjohur të muzikës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Qipro, Finlanda dhe Italia, duke garantuar një vlerësim të drejtë dhe ndërkombëtar të talenteve në garë.

Ky koncert final jo vetëm që përmbyll me madhështi edicionin jubilar, por edhe vendos bazat për një të ardhme të ndritur të muzikantëve të rinj shqiptarë në skenën ndërkombëtare./ KultPlus.com

Të ngjajshme