Flaka Goranci dhe Zamir Kabo së bashku në Linz

6 Shkurt, 2019 - 5:06 pm

Sopranoja Flaka Goranci dhe pianistit Zamir Kabo do të koncertojnë së bashku të mërkurën në Linz të Austrisë . Dy artistët shqiptarë të shoqëruar nga çelisti austriak Bertin Christelbauer do të sjellin një program të larmishëm me vepra nga Verdi, Rosini, Moxarti dhe Shopeni, shkruan KultPlus.

Koncerti do të mbahet më 20 shkurt duke filluar nga ora 19:30 në Linz në sallën Elisabethinen.

Flaka Goranci e nisi karrierën e saj muzikore në piano, për të kaluar më pas në këndim. Studimet e saj bachelor i përfundoi në Akademinë e Muzikës në Tiranë. Në moshën 22 vjeçare ajo debutoi me rolin e Rosina në ‘Il Barbiere di Siviglia’ në Operën Shtetërore në Tiranë. Në Izrael, në Shqipëri e Austri ajo është paraqitur në role të ndryshme, përfshirë ‘Le nozze di Figaro’ të Mozartit, rolin e Dorabella në ‘Cosi fan tutte’, Ida në ‘Gemma di Vergy’, Dido në ‘Dido and Aeneas’ dhe Die Mutter në ‘Der Jasager’. Ajo është fituese e Bursës Hilde Zadek Scholarship Foundation ndërsa ka performuar në skena të mëdha botërore.

I panjohur për botën e muzikës klasike nuk është as pianisti Zamir Kabo i cili ka performuar disa herë edhe në Shqipëri. Ai ka lindur më 1988- n në Tiranë në një familje muzikantësh. Mësimet e para në piano i mori në shkollën artistike “Servete Maçi”, për të vijuar Liceun Artistik “Jordan Misja”. Studimet e larta i fillon në vitin 2006 në Fakultetin e Muzikës në Shkup, nën drejtimin e profesorit Boris Romanov, ku edhe përfundon në 2010- n me vlerësimin 10 Suma cum Laude. Në 2011-n vazhdon studimet master po me të njëjtin profesor dhe përfundon përsëri me notën 10 Suma cum Laude për të vazhduar me paraqitje nëpër salla të njohura koncertale.

Ndërsa çelisti austriak është pjesëtar i orkestrës Bruckner Orchestra te Linzit dhe ka edhe dy albume të regjistruara, të fundit në vitin 2015./ KultPlus.com

Të ngjajshme