Flaka Goranci fascinoi publikun e Hamburgut ku u prezantua me dy role kryesore (FOTO/VIDEO)

10 Korrik, 2018 - 10:50 pm

Gili Hoxhaj

Flaka Goranci mbrëmë ka fascinuar publikun e Hamburgut, atje ku ka interpretuar me orkestrën simfonike të Hamburgut, nën direktivën e dirigjentit Ulrich Windfuhr, shkruan KultPlus.

Përmes zërit të saj ajo ka interpretuar ariet dhe duetet e dy roleve kryesore për Mezzo-soprano, atë të Charlotte nga opera „Werther“ e kompozitorit Jules Massenet dhe atë të Carmen nga opera „Carmen“ e kompozitorit po ashtu francez George Bizet. Përkrah mezo-sopranos kosovare, ka interpretuar edhe tenori Hany Abdelzaher.

Në një mjedis të errët pranë instrumentistëve të veshur me kostume, Flaka Goranci bie fort në sy me fustanin e saj ngjyrë të kuqe, e lëvizjet plot elegancë e në harmoni më lëshimin e zërit në zbërthim të dy kryeveprave franceze. Goranci tregoi për KultPlus se kjo është hera e parë që këndon së bashku me Orkestrën Simfonike të Hamburgut, ndërsa që tani ndihet shumë e lumtur që do të kthehet për të performuar përsëri me të njëjtën orkestër në janar të vitit 2019.

“Të interpretosh me një orkestër të një niveli siç është kjo orkestër është natyrisht një kënaqësi e rrallë sepse je e shoqëruar nga muzikantë me eksperiencë të madhe dhe me një profesionalizëm të rrallë.
Koncerti i mbrëmshëm ishte një ndjesi e bukur, duke interpretuat ariet dhe duetet e mrekullueshme të dy roleve kryesore për Mezzo-soprano siç është roli i Carmen dhe ai i Charlotte, të dyja në gjuhen franceze”, tregoi ajo për KultPlus.

Orkestra simfonike e Hamburg-ut është një orkestër prestigjioze që luan me emrat më në zë të skenës klasike dhe asaj operistike.

Pas kësaj, mezzo-sopranoja kosovare do të vazhdoj drejt Zvicrës për të realizuar rolin e Carmen me premierë në datën 27 korrik e deri më 11 gusht për të përmbyllur shfaqjen e nëntë me radhë dhe të fundit për këtë festival. /KultPlus.com

Të ngjajshme