Flaka Goranci interpreton me orkestrën simfonike të Hamburgut

5 Korrik, 2018 - 6:05 pm

Vetëm një ditë para fillimit të provave për rolin e Carmen në festivalin e operës në Obersaxen në Zvicer, Flaka Goranci është ftuar nga orkestra simfonike e Hamburgut të interpretoj në natën „A la Francaise“ ariet dhe duetet e dy roleve kryesore për Mezzo-soprano, atë të Charlotte nga opera „Werther“ e kompozitorit Jules Massenet dhe atë të Carmen nga opera „Carmen“ e kompozitorit poashtu francez George Bizet.

Orkestra simfonike e Hamburg-ut është një orkestër prestigjioze që luan me emrat më në zë të skenës klasike dhe asaj operistike, shkruan KultPlus.

Koncerti do të mbahet më datë 9 korrik duke filluar nga ora 19:00, në oborrin e brendshëm të komunes së Hamburgut (Innenhof des Rathaus).

Përkrahë Flakes do të interpretoj edhe tenori Hany Abdelzaher. Kurse orkestra simfonike do të drejtohet nga dirigjenti Ulrich Windfuhr. Më pas mezzo-sopranoja kosovare do të vazhdoj drejt Zvicrës për të realizuar rolin e Carmen me premierë në datën 27 korrik e deri më 11 gusht për të përmbyllur shfaqjen e nëntë me radhë dhe të fundit për këtë festival. /KultPlus.com

Të ngjajshme