Këngët e çikave me defa, jehuan në Kalanë e Prizrenit

8 Gusht, 2018 - 12:59 pm

Alberina Haxhijaj- Prizren
Fotografitë Photo: Somer Spat
Mbrëmë në Kalanë e Prizrenit në kuadër të DokuFest, erdhi një përmbledhje e këngëve të cilat janë kënduar nga gratë, për të shënuar ceremoni të ndryshme, shkruan KultPlus.

Performanca e grupit i cili përbëhej nga Merita Rama, Vahide Jusufi, Minivere Borovci, Egzona Ramaj, Rozafë Neziri, Kosovare Qerkini, Shqiponjë Grajqevci, Mimoza Hamiti, Valentina Haziri si dhe Gentiana Krasniqi, bëri që dhjetëra mysafirë të festivalit të ngjiten në Kala.

Të rehatuar në skenën e improvizuar në Kala, mysafirët shijuan perëndimin e diellit por edhe u kthyen prapa në kohë dhe udhëtuan nëpër troje të ndryshme të Kosovës përmes këngëve që solli grupi.
Këngët e tilla si: Kënga e Rugovës, Kaj oj nane bashkë me mue, Lëshoni udhë e lëshoni sokak, Këqyrni shoqe, Luli Belholla, O’dola n’bahqe e të tjera, bënë që të pranishmit të reflektonin për trashëgimin shpirtërore të cilën e ka Kosova.

/Kaj o nanë oj ti bashkë me muee, kaj o nanë oj ti bashkë me mue, s’ka kush vendin oj nanë me ta shtrue, s;ka kush vendin oj nanë me ta shtrue, Kajn o lule more lotë gurë gurë, kaj oj lule more lot gurë gurë ee/ qysh po e len more babën për një burrë/ qysh po e len more babën për një burrë ee/
Merita Rama e cila ishte njëra nga çikat që performoi, u shpreh për KultPlus se janë të lumtura që akoma po arrijnë që ta ruajnë zakonet dhe këngët që i kanë mësuar nga nënat dhe gjyshet e tyre.
“Grupi jonë është privat dhe shërben si vend takime për neve që tani jemi bërë edhe mikesha. Të gjithë janë të interesuar për të dëgjuar këngët e tilla, sidomos ndërkombëtaret dhe të huajt që po vizitojnë Prizrenin. Pra këngët që i kënduam i kemi trashëguar nga nënat tona, gjyshet por ka edhe këngë të krahinave të tjera të cilat i kemi mbledhur ndër vite”, tregoi ajo.

Grupi solli këngë të ndryshme të cilat përshkruajnë disa pjesë të jetës nëpër të cilat kalojnë gratë në shoqëri, të tilla si këngët për kangjegj, dasma, e të tjera.
Performanca po ashtu përfshiu edhe këndimin e rrallë dhe karakteristik me gisht në fyt, specifikë për bareshat në Kosovë dhe që shërbente si një mënyrë për të komunikuar në distancë.
/ioo uooo a ti n’at shpat e unë n’këtë shpat eooo/ iooo iooo o fol njëherë o gojë dukat eoo/ iooo ueeo ueoo o lule e kuqe fletë bojë pembe oo/

Kjo performancë është organizuar nga DokuFest së bashku me CHwB, me qëllim të përbashkët për të shënuar trashëgiminë shpirtërore të Kosovës. /KultPlus.com

Të ngjajshme