‘Flauti magjik’ për fëmijë e familje, 3 ditë në Teatrin e Operas

29 Maj, 2023 - 6:09 pm

 Për tri ditë me radhë Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit ka vënë në skenë “Flautin magjik”, përshtatur për fëmijë dhe familje.

Testamenti shpirtëror i Moxartit u përcoll përgjatë datave 26, 27 dhe 28 maj. “Flauti magjik” është një vepër shumëdimensionale ku të vegjlit artdashës u përfshinë tërësisht në një botë magjike.

Libreti i kësaj opere bazohet në një përrallë me nota të holla humori dhe plot mistere. Tamino dërgohet nga Mbretëresha e Natës për të shpëtuar vajzën e saj Pamina nga prifti i lartë Sarastro. Megjithatë, gjatë aventurës së tij, Tamino vlerëson vlerat dhe idealet e Sarastros dhe i bashkohet rrugëtimit të tij.

Muzika e bukur e Moxarit dhe artistët e TKOB argëtuan pa masë spektatorët e vegjël, në hollin koncertor të teatrit. Edhe orari i vendosur paradite, ishte lënë enkas për ta bërë më të mundur frekuentimin nga fëmijë e familjarë.

Vepra në formën e një Singspielit, nën drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi, i dha dinamikë shfaqjes dhe dhuroi atmosferë emocionuese për publikun./ATSH/KultPlus.com

Të ngjajshme