‘Fustanella Festival’ sjell në skenë Kolë Lacën dhe Arbëreshë – një përjetim muzikor

16 Gusht, 2025 - 12:38 pm

Sot, më 16 gusht, Fustanella Festival, në Dhërmi, sjell një mbrëmje të veçantë që shpalos dy dimensione të fuqishme të muzikës shqiptare, nga eksperimentimi elektronik i Kolë Lacës te thellësitë shpirtërore të këngës popullore me Arbëreshë.

Publikut do t’i prezantohet një performancë e veçantë nga Kolë Laca (pjesë e grupit muzikor Shkodra Elektronike), me projektin e tij më të ri: Byzantronica (Hybrid Live Set), një eksperiment muzikor që sfidon kufijtë kulturorë dhe stilistikë të muzikës elektronike.

“Byzantronica” është një udhëtim i pasur muzikor, që ndërthur me mjeshtëri ritmet dhe tingujt e Ballkanit, Anadollit, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Ky set hibrid nuk është thjesht një ftesë për të kërcyer, por edhe për të dëgjuar, reflektuar dhe për t’u zhytur në një botë ku e lashta takohet me modernen, dhe ku kufijtë gjeografikë treten nëpër valë zanore, transmeton KultPlus.

Kjo vepër u prezantua për herë të parë gjatë inaugurimit të instalacionit “We Apologize” të artistit të njohur Adrian Paci, në lagjen multietnike të sheshit Victoria në Athinë, një hapësirë urbane ku ndërthuren gjuhë, kultura, kuzhina dhe ngjyra të ndryshme, njësoj si vetë muzika e këtij projekti.

Në të njëjtën natë, skena do të ndriçohet nga zëri magjepsës i Arbëreshë, një artiste që zhytet me pasion në këngën popullore shqiptare, duke i dhënë asaj një frymë të re dhe intime.
Muzika e saj nuk është thjesht rikrijim i traditës, ajo vjen si një ëndërr e vjetër që zgjohet ngadalë, duke prekur kujtesën, historinë dhe shpirtin e një populli. Me qasje të thellë emocionale dhe interpretim të veçantë, Arbëreshë sjell një përjetim që e bën të kaluarën të ndihet aktuale.

Fustanella Festival vazhdon të afirmohet si një platformë artistike që fton publikun në udhëtime përtej kohës dhe kufijve kulturorë. Mbrëmja e 16 gushtit është një ftesë për të dëgjuar rrënjët tona në mënyra të reja dhe për t’i ndjerë ato me gjithë trupin, shpirtin dhe mendjen./KultPlus.com

Të ngjajshme