Gjithçka gati për edicionin e tretë të ‘Prishtina Jazz Week’

26 Shkurt, 2020 - 11:15 am

Prej 2 deri me 6 mars, ‘Prishtina Jazz Week 2020’ do t’i hapë dyert për 5 net me xhaz artistë nga e gjithë bota, përcjellë KultPlus.

Ndonëse ky dimër ka qenë më i ngrohtë se zakonisht, duket se java e parë e marsit do të jetë më e ngrohta ndonjëherë. Tashmë në edicionin e tretë, Prishtina Jazz Week 2020 e vazhdon traditën e organizimit të super koncerteve të zhanrit xhaz në Kino Armata me artistë të njohur të xhazit nga bota dhe vendi, me punëtori muzikore në Dit’ e Nat’ ku do të kenë qasje të gjithë ata që duan të marrin mësime nga xhaz maestrot mysafirë, dhe me jam sessions deri në orët e hershme të mëngjesit në Zanzi Jazz Bar.

Organizuar nga 2-6 mars në Kino Armata në Prishtinë, Prishtina Jazz Week 2020 fillon furishëm me xhaz vokalisten Nikoletta Szőke Quartet feat. Kristóf Bacsó nga Hungaria, për ta vazhduar natën e dytë me xhaz vokalisten, kompozitoren dhe aranzhuesen e jashtëzakonshme Elif Çağlar dhe bendin e saj nga Turqia, pasuar nga Marcos Varela Trio me 4 mars dhe Broken Circles ft. Joel Ross me 5 mars, dy xhaz formacione të njohura nga SHBA, dhe për ta përmbyllur festivalin me një ndër performansat e para të Prishtina Big Band, ansambli i sapo formuar i 17 artistëve vendor udhëhequr nga Armend Xhaferi.

Krahas xhaz koncerteve të jashtëzakonshme, Prishtina Jazz Week 2020 organizon edhe punëtoritë muzikore në Dit’ e Nat’ udhëhequr nga artistët pjesëmarrës dhe ku muzikantët e interesuar të të gjitha moshave, gjinive apo etniciteteve do ta gjejnë hapësirën e sigurt për t’u rritur, për të bashkëpunuar dhe për të përparuar në instrumentin e tyre.

Ndërsa jam session do të organizohen çdo natë pas koncerteve në Zanzi Jazz Bar.

“Aty do të zgjidhen të gjithë rrypat, do të thyhen të gjitha barrierat dhe do të hapet çdo cep i skenës për t’u shndërruar në ftesë të parezistueshme për të gjithë muzikantët prezentë, vendor dhe të huaj, ta lënë momentin ta marrë rrjedhën, dhe muzikën të rrjedhë nga të gjithë së bashku”, thuhet në komunikatë.

Ky pra është shpirti i Prishtina Jazz Week: të sjell muzikantë dhe njerëz të jashtëzakonshëm nga e gjithë bota në Prishtinë për ta inspiruar njëri tjetrin, të krijojë platforma për mësim, përparim dhe rritje muzikore, dhe të ndërtojë ura bashkëpunimi në mes të të gjithë artistëve prezent.

Prishtina Jazz Week 2020 line-up:

02/03/2020: Nikoletta Szöke feat. Kristóf Bacsó Quartet (Hungary)

03/03/2020: Elif Çaglar Quartet (Turkey)

04/03/2020: Marcos Varela Trio (USA)

05/03/2020: Broken Circles ft. Joel Ross (USA)

06/03/2020: Prishtina Big Band (Kosova)

Orari i punëtorive muzikore postohet në ditët në vijim në vegëzat e mëposhtme: FB: https://www.facebook.com/prishtinajazzweek Instagram: https://www.instagram.com/prishtinajazzweek/ Event: https://www.facebook.com/events/2494480840806975

Biletat për Prishtina Jazz Week 2020 mund t’i gjeni online në: https://www.rave-travel.com/, ose offline në lokacionet e mëposhtme:

– Prishtinë: Rave Travel, Soma , Dit’ e Nat’, Zanzi Jazz Club.

– Prizren: Vector Diamond

– Peja: Soho Bar

– Tirana: Destil Hostel Prishtina Jazz Week 2020 mbështetet nga: Ambasada e Hungarisë në Prishtinë, Ambasada e Turqisë në Prishtinë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme