Gregory Charette solli magji tingujsh përmes pianos në Festivalin DAM

4 Prill, 2018 - 5:40 pm

Gili Hoxhaj

Dam Festival mbrëmë solli dy koncerte brenda një nate. Pas shumë tingujsh të instrumentisteve vendore e zërave të solisteve të ansamblit vokal “Zanat”, në skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare u ngjit dirigjenti Gregory Charette.

Për publikun i cili e ka përcjellur në vazhdimësi Festivalin “Dam” dhe koncertet e Filharmonisë së Kosovës, tashmë emri i dirigjentit amerikan nuk është i panjohur. Brenda këtij viti, ai ishte ndodhur dy herë përballë Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, ku kishte dirigjuar lojën e tyre. Kësaj here ai ishte ulur pranë pianos, me anë të së cilës do t’i dhuronte më shumë se një orë lojë pianistike publikut të Dam Festivalit, i cili mbrëmë arriti natën e gjashtë koncertale. Ndriçimi në sallë shkonte duke u zbehur, për t’u përqendruar tek laramania e tingujve, që herë vinin me një ritëm më të ngadaltë e udhëtonin ngadalë brenda ambientit, për të vazhduar në disa çaste në lëvizje më të shpeshtuara, e tinguj më të gjallë.

Gregory Charette aktualisht punon si profesor në Konservatorin e Amsterdamit ndërsa shquhet si dirigjent i cili është thellësisht i përkushtuar në promovimin e muzikës së re. Ai është drejtor i kolektivit të muzikës bashkëkohore Oerknal. Përvoja e tij lidhet edhe si mjeshtër i dirigjimit orkestral në Holandë, gjë që ia ka mundësuar atij edhe bashkëpunimin me shumë orkestra të ndryshme profesionale në Holandë.

Ai interpretoi 11 etyde për piano të kompozitorit amerikan Philip Glass, muzika e të cilit ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në fund të shekullit 20. Këto etyde, Glass i kishte kompozuar për vete ndërsa i kishte interpretuar në piano.

“Ai i shkroi këto etyde për piano, në mënyrë që t’i ushtronte, ato kanë mënyra të ndryshme te të shprehurit, disa janë më të gjalla e disa në mënyrë më medituese”, u shpreh Charette. Para se ta mbante koncertin, gjatë ditës Charette për studentët e muzikës mbajti një ligjëratë rreth Philip Glass dhe repertorit muzikor që ai krijoi. Shembull, ata që e kanë parë filmin “The Hours” kujtojnë mirë pjesët muzikore të cilat i ka krijuar Philip Glass.

Charette u shpreh për KultPlus se interpretimi në piano para publikut këtu, i dhuroi një ndjenë edhe më të afërt dhe një ndjeshmëri më të madhe. Ai tregoi përvojën e tij në këtë interpretim.
“Ne, në anglisht kemi një fjalë “pendesë”, kur ju duhet të pendoheni për gabimet e juaja, mendoj se çdo dirigjent duhet të interpretojë ashtu siç interpretova unë sonte sepse kur unë dirigjoj, unë kam para vetes disa muzikantë të mirë të cilët bëjnë të gjithë punën, e krejt çka unë bëj është t’u tregoj kur ata janë gabim, kështuqë për mua është një ndjeshmëri më e madhe dhe një frikë më e madhe”, tha kompozitori dhe dirigjenti Gregory Charette.

Ai tha se audienca këtu është gjithnjë e ngrohtë, ndërsa shtoi se shpreson që gjatë kësaj nate kanë arritur që përmes muzikës sado pak ta sfidojnë shijen e publikut, duke u ofruar diçka që është më ndryshe nga ajo çfarë ata janë mësuar ta dëgjojnë.

Duke qenë se dirigjenti Charette gjatë qëndrimit këtu po i ndjekë nga afër koncertet e DAM Festival, ai tregon për KultPlus se ky festival është i mrekullueshëm por që duhet të gëzojë edhe më shumë përkrahje për shkak të rëndësisë që ka për komunitetin në Kosovë.

“Ky festival është i mrekullueshëm, ajo çfarë bëjnë organizatorët është mbresëlënëse dhe ka nevojë për më shumë përkrahje sepse një festival si ky dhe Festivali i Filmit në Prizren janë dy mënyrat më të mira për t’i mbledhur njerëzit në Kosovë. Për shkak të liberalizimi të vizave lëvizja është shumë e vështirë kështu që organizime si këto janë më të vërtetë esenciale”, pohon Charette.

Festivali DAM do të vazhdojë rrugëtimin e tij muzikor me koncertin e radhës që do të mbahet këtë të diele, me datë 8 prill, ku publiku do të ketë mundësi të dëgjojë koncertin e korit “Hpd Slavulj” nga Kroacia.

Koncerti i radhës do të mbahet po ashtu në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme