Hapet “ReMusica”, Petrit Çeku e Marc Bouchkov me komunikim e përjetim të veçantë muzikor

28 Maj, 2018 - 1:29 pm

Gili Hoxhaj

Festivali Ndërkombëtar “ReMusica” mbrëmë shënoi hapjen e edicionit të 17-të, duke lënë pas vetes një sërë edicionesh të gërshetimit muzikor mes epokash. Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare ishte bërë adresa e hapjes së këtij edicioni. S’u desh edhe shumë kohë që ulëset në çdo pjesë të sallës të mbusheshin, madje organizatorët nuk e filluan hapjen pa i bërë vendin secilit në sallë.

Llogoja e Festivalit e vendosur në skenë krijonte një skenografi më ndryshe e më të zgjedhur. Nga prapaskena vijnë dy instrumentistë virtuoz, që përmes tingujve të tyre kanë lënë jehonë ndjesish në skena të vendeve të ndryshme. Kitaristi i mirënjohur nga Kosova, Petrit Çeku e violinisti belg Marc Bouchkov që nga dalja në skenë priten me plot duartrokitje. Çeku zë vend në ulësen në skenë e mbështet duart në kitarë, Bochkov pranë tij e në këmbë bën gati harkun e violinën.

“Cantabile” e Niccolo Paganinit ishte vepra e parë që e hapi mbrëmjen. Një vepër që vjen përmes melodisë së lehtë e lojës tejet seksuale. Kjo duo solli veprën e një nga kompozitorët, violinistët e kitaristët më virtuoz të kohës. Çeku gjatë ditës së djeshme citoi këtë kompozitor lidhur me raportin e tij me këto dy instrumente. “Ai zakonisht ka thënë që ai është “Zot” i violinës, por që kitara është “Zot” i tij”, ka thënë Çeku.

Me vallet romune vazhdoi rrugëtimi muzikor përmes dy harkorëve. Mes trajtash të ndryshme melodish që ngërthen kjo vepër, ata mbajtën publikun gati se pa frymë e të fokusuar në mjeshtërinë e tyre artistike. Vepra e Bela Bartok bazohet në shtatë meloditë rumune nga Transilvania. Emri origjinal i kësaj vepre fillimisht u titullua “Vallet Folklorike Rumune nga Hungaria” (Magyarországi román népi táncok) por u ndryshua më vonë nga Bartók, kur Rumania aneksoi Transilvaninë në vitet 1918-1920.

Çeku u kthye përsëri në skenë, e kësaj here Bochkov qëndronte i ulur dhe duke e përcjellë pa violinë lojën e tij. “Kënga labe” e kompozitorit nga Kosova, Rafet Rudit filloi ciklin e veprave shqiptare që erdhën të interpretuara mbrëmë. “Ta dish” dhe “Njëzet e pesë gërsheta”, janë këto vepra të rëndësishme shqiptare që janë aranzhuar nga Rudi. Këto vepra ishin shkruar gjatë viteve të 90’ta për kitaristin Ehat Muso, e Çeku ishte shumë i emocionuar që t’i sillte për herë të parë para publikut mbrëmë.

Vepra e kompozitorit francez, Jules Messenet që i përket kohës së Romantizmit zuri vend në repertorin e mbrëmshëm. “Meditation” nga opera “Thais”, u shfaq fillimisht në Opéra Garnier në Paris më 16 mars 1894. Kjo vepër ndër vite është luajtur nga instrumentistë të klasit botëror, të cilën e kanë interpretuar atë si solistë me orchestra të mëdha në gjithë botën. Me vepra të njohura e historike të Astor Pizzolla që tregojnë historinë e tangos ndër vite dhe vendodhjen e saj që nga kafenetë e deri në sallat e mëdha të festivaleve.

Emri i kitaristit Petrit Çeku përbën një nga emrat që përmes veçantisë së tij artistike ka lenë gjurmë në skenat e ndryshme të botës. Paraqitja e tij përfshin recitale solistike në mbarë Evropën dhe Amerikën Veriore dhe koncerte nënë përcjelljen e orkestrave simfonike të ndryshme.
Një përjetim personal, ai e sillte në çdo tingull. Herë me sytë e ulur poshtë kitarës e herë drejt publikut, ai solli një lojë delikate që jo shpesh dëgjohet. Përmes tij, e violinistit erdhi një lojë e kompletuar mes dy instrumentesh. Tingujt plotësonin njëri-tjetrin në çdo prekje e lëvizje të duarve të tyre. Muzika dukej sikur prehej në një frymëmarrje paqeje, nën këtë frymëmarrje tingujt ndonjëherë dukej sikur depërtonin më thellë.

Çeku dje u shpreh se është një ndjenjë krejtësisht tjetër kur luan në vendin ku është rritur, pranë njerëzve të cilët i njeh dhe e njohin për së afërmi.
“Në raport me publikun në përgjithësi është një moment i njoftimit dhe mandej i rinjoftimit kur njihemi dhe flasim. Këtë e përmendi shpesh, shumica e koncerteve janë në një vend ku nuk kam qenë më herët, dmth jam aty për herë të parë, pra nuk e njoh as publikun dhe mendimi i parë kur dal në skenë është “Unë jam Petriti dhe kështu luaj në skenë”, kjo nuk është e nevojshme për Prishtinën, kjo pasi që shumica e publikut më njeh”, tregoi Çeku i cili tha se është i kënaqur që bëri hapjen e “ReMusica”, të cilën e quajti si “Vitaminë C” për skenën kulturore.

Mjeshtëria e violinistit belg Marc Bouchkovit nxitet nga të shprehurit. Ai beson fort se muzika në violinë përveç se lidhet me njohurinë e thellë të pjesës që luan, përmbajtjen historike dhe interpretimin e mirëfilltë po edhe me besimin e tij se perforamnca është një mënyrë e komunikimit të drejtpërdrejtë me dëgjuesit. Ata që e kanë dëgjuar violinistin Bouchkovit, do ta mbajnë mend si një nga violinistet që sjellë zbërthim emocionesh, e lojë elegante në skenë. Edhe kur duart i largonte nga violina, ajo rrinte e mbështetur në krahun e tij të majtë. Komunikimi i veçantë mes kitaristit Çeku, e violinistit Bouchkovit tashmë ishte dëshmuar edhe në skena të tjera, por për Bouchkovit kjo ishte hera e parë e interpretimit në Prishtinë.

“Ka shumë pyetje por të gjitha pyetjet të dërgojnë tek një përgjigje: e natyrshme dhe e mrekullueshme. Me Petritin ka qenë gjithnjë kështu, që nga fillimi kur e kam dëgjuar Petritin dhe qëndroja përkrah tij, kam thënë “Zoti im, kush është ky muzikant dhe çfarë bën”. Është një komunikim për shkak se jam munduar t’i përgjigjem mënyrës se si ai luan dhe ndihem shumë rehat”, u shpreh Bouchkovit.

Bouchkovit tregoi edhe për emocionet e tij të para, para se të vij në Prishtinë. Ai tha se ka ndjerë një komunikim të rrallë edhe me publikun që e përcillte me emocion dhe me përkushtim.
“Unë ndihem sikur Petritin e kam pjesë të familjes në muzikë dhe kur ai më ftoi që të vij këtu e shikova agjendën dhe i thash “po” menjëherë. E kam ndjerë këtë energji edhe disa ditë para se të vija në skenë. Jam ndjerë që shumë rehat këtu, njerëzit dukeshin të interesuar dhe shumë të bukur, fytyrat e publikut ishin të mbushura me emocion dhe kjo më përmbushte”, u shpreh tutje Bouchkovit.
Sonte do të vazhdoj nata e dytë e Festivalit “ReMusica”, e cila para publikut të Prishtinës do të sjellë ansamblin “proModern” të cilët vijnë nga Polonia dhe vijnë me një projekt të quajtur “Shakespired”, me të cilin kanë fituar mjaft çmime në Poloni. Koncerti fillon nga ora 20:00, në Amftiatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme